Ministri i Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy dhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Vlora Dumoshi kanë nënshkruar marrëveshjen për “Bashkëpunim Kinematografik Ndërqeveritar”.

Marrëveshja është nënshkruar në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë në kryeqytetin Ankara, pas një takimi mes dy ministrave.

Ministri turk në fjalimin e tij gjatë ceremonisë së nënshkrimit tha se lidhjet historike dhe kulturore mes Turqisë dhe Kosovës bazohen në një të shkuar shumë të vjetër. “Popujt ndihen afër njëri-tjetrit, e shohin njëri-tjetrin si vëllezër. Kemi aspekte të ngjashme në vlerat tona të përbashkëta, nga gastronomia te shumë aktivitete të tjera kulturore”, u shpreh Ersoy.

Duke deklaruar se TIKA mbështet shumë projekte në këtë kontekst për të forcuar marrëdhëniet dhe për ta bërë më të fuqishëm të kaluarën e përbashkët historike, Ersoy tha se deri më sot TIKA ka realizuar 665 projekte.

Ersoy theksoi se TIKA do të vazhdojë me restaurimin e monumenteve që datojnë nga periudha osmane, që simbolizojnë trashëgiminë e përbashkët mes dy vendeve dhe organizimin e aktiviteteve kulturore si dhe aktivitetet në fushën e infrastrukturës për të cilat Kosova ka nevojë.

“Seriali ‘Sulejmani i Madhërishëm’ (Muhteşem Yüzyıl) u bë shumë i famshëm në të gjithë botën”

Duke treguar se presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) u kushton shumë rëndësi marrëdhënieve me Kosovën dhe Ballkanin, ai potencoi se sot po nënshkruajnë marrëveshjen ndërqeveritare për “Bashkëpunim kinematografik”.

“Sektori i filmave dhe serialeve televizive është shumë i zhvilluar në Turqi. Veçanërisht për serialet, Turqia është vendi i dytë që eksporton më së shumti seriale pas Amerikës. Me këtë rast, krijohet mundësia e prezantimit të njerëzve të Turqisë, jetës shoqërore, kulturës, gjeografisë, pikave të rëndësishme në botë. Seriali ‘Sulejmani i Madhërishëm’ (Muhteşem Yüzyıl) u bë shumë i famshëm në të gjithë botën. Falë këtij seriali, lindi mundësia të njihet historia osmane me një metodë kinematografike në botë”, tha Ersoy duke shtuar se:

“Vitet e fundit serialet turke janë popullarizuar në Amerikën e Jugut dhe Brazil. Nënat dhe baballarët për emrat e fëmijëve të sapolindur kanë filluar të përdorin emrat e karaktereve turke. Jemi shumë të lumtur. Mendoj se do të arrijmë të njëjtën efikasitet dhe cilësi në prodhimet e përbashkëta që do të realizohen mes dy vendeve falë kësaj marrëveshjeje”.

Ndërsa Vlora Dumoshi e cilësoi si një ngjarje të rëndësishme për dyja vendet nënshkrimin e marrëveshjes.

“Kjo nuk është marrëveshja e parë, por me këtë rast unë e falënderoj popullin e Turqisë, presidentin, qeverinë për ndihmat të cilat ajo i ka bërë Kosovës në faza të ndryshme. Ne jemi me fat sepse edhe te ne në Kosovë jetojnë shumë qytetarë të komunitetit turk, por edhe në Turqi është një pjesë e madhe e numrit të shqiptarëve. Kështu që historia na lidh”, tha Dumoshi.

“Ne si dy ministra e kemi rastin më të mirë për me shfaq bashkëpunimin tek njerëzit tanë, të cilët jetojnë edhe në Kosovë por edhe në Turqi. Ne e kemi pas për shumë vite TIKA-n me projekte dhe e cila vazhdon. Ne jemi falënderues”, tha ministrja e Kosovës. (Agjencia Anadolli – AA)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re