Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, njoftoi nënshkrimin e Memorandumeve të Mirëkuptimit për hidrokarburet dhe gazin mes vendit të tij dhe Libisë, duke theksuar marrëdhëniet e forta midis dy vendeve.

Në një konferencë të përbashkët për media në Tripoli me homologen e tij libiane, Najla El Mangoush, ministri Çavushoglu tha se Turqia ka qëndruar gjithmonë përkrah Libisë dhe popullit të saj në kohë nevoje, duke shtuar se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë Libinë pa asnjë hezitim.

Çavushoglu është në krye të një delegacioni të nivelit të lartë që qëndron për vizitë në Tripoli, ku përfshihen ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Fatih Dönmez, ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ministri i Tregtisë, Mehmet Muş, shefi i Kryesisë së Komunikimeve pranë Presidencës së Türkiye-s, Fahrettin Altun dhe zëdhënësi presidencial i Türkiye-s, Ibrahim Kalın.

Delegacioni arriti në kryeqytetin e Libisë për bisedime mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale.

I pyetur për reagimet e mundshme nga Greqia dhe Franca pas marrëveshjeve, Çavushoglu tha se vendet e treta nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në marrëveshjet e nënshkruara midis dy shteteve sovrane.

“Marrëveshjet e nënshkruara sot dhe më parë, janë marrëveshje midis dy shteteve sovrane, Turqisë dhe Libisë, me një mirëkuptim të favorshëm. Prandaj, vendet e treta nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në marrëveshjet e nënshkruara nga dy vendet sovrane. Nuk ka rëndësi se çfarë mendojnë ata”, tha Çavuşoğlu.

Lidhur me zgjedhjet në Libi, kryediplomati turk tha se duhet të jetë një proces i vendosur nga libianët, duke kërkuar që të arrihet një udhërrëfyes në këtë drejtim.

“Zgjedhjet duhet të zhvillohen në mënyrë transparente, të ndershme dhe demokratike. Rezultatet e zgjedhjeve duhet të përqafohen nga të gjitha partitë në vend, është shumë e rëndësishme jo vetëm për unitetin kombëtar, por edhe për stabilitetin politik dhe Türkiye i kushton rëndësi të madhe kësaj”, shtoi ai.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re