Një delegacion turk udhëtoi për në Moskë të mërkurën e 22 qershorit për të biseduar mbi mundësinë e rifillimit të eksporteve të grurit nga Ukraina përgjatë Detit të Zi.

 

Në takimin që zgjati disa orë në Moskë, përfaqësuesit nga Ministritë e Mbrojtjes të Turqisë dhe Rusisë arritën një marrëveshje për bashkëpunimin e mëtejshëm për kalimin e sigurt të anijeve tregtare turke dhe eksportin e grurit nga portet ukrainase në Detin e Zi.

 

Miliona tonë grurë dhe drithëra të tjera janë bllokuar prej muajsh në portet e Ukrainës që nga nisja e pushtimit rus, duke sjellë shqetësime mbi krizën dhe rritjen e çmimeve në të gjithë botën.

 

“Palët diskutuan për daljen e sigurt të anijeve tregtare turke dhe eksportin e grurit nga portet e Ukrainës, po ashtu edhe mbi lundrimin e sigurt në Detin e Zi”, thuhet në deklaratën e Ministrisë ruse pas takimit të së mërkurës.

 

Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur bllokimin e kalimit të anijeve me grurë ukrainas, duke fajësuar sanksionet perëndimore si shkak për krizën ushqimore. Turqia, e cila ka mbajtur marrëdhënie të mira me Moskën dhe Kievin, ka ofruar të mundësojë kalimin e anijeve nga Ukraina bazuar në një plan të OKB-së që do të garantonte korridore të sigurta në Detin e Zi.

 

Të mërkurën një anije mallrash e Turqisë u largua nga porti i Mariupolit, qytetit ukrainas të pushtuar nga Rusia, pas një raundi bisedimesh “konstruktive” me Moskën, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes të Turqisë, pa specifikuar nëse po transportonte grurë.

 

“Takimi në Moskë dha rezultatin e tij të parë konkret”, tha Ministria e Mbrojtjes e Turqisë në një deklaratë.

 

“Vetëm pak orë pas përfundimit të takimit, anija turke e mallrave të thata, e cila priste prej ditësh, u largua nga porti ukrainas”.

 

Deklarata shtoi se ‘Azov Concord’ u bë anija e parë e huaj që u largua nga porti në Mariupol – një qytet i shkatërruar nga bombardimet ruse./R.E.L

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re