E gjithë ajo që është e nevojshme do të bëhet kur të vijë koha e duhur, tha sot ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar rreth sulmeve terroriste në rritje ndaj forcave të Turqisë në veri të Sirisë.

“Çfarëdo që nevojitet për të siguruar dhe mbrojtur të drejtat dhe interesat tona do të bëhet në kohën dhe vendin e duhur. Askush të mos dyshojë në këtë”, tha Akar në fjalimin në shënimin e vitit të ri akademik të Universitetit të Mbrojtjes Kombëtare.

Deklarata e tij vjen një ditë pasi ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu tha se Rusia dhe SHBA-ja janë gjithashtu përgjegjëse për sulmet nga PKK dhe dega e saj siriane YPG.

Dy policë të operacioneve speciale turke u vranë kohët e fundit në veri të Sirisë kur grupi terrorist goditi një automjet të armatosur me një raketë.

Më herët, presidenti Recep Tayyip Erdoğan tha se Turqisë i ka mbaruar durimi për shkak të sulmeve të përsëritura ndaj forcave dhe territoreve turke në rajon.

Duke potencuar se Turqia ndjek nga afër të gjitha zhvillimet në veri të Irakut dhe Sirisë, Egjeut, Mesdheut Lindor dhe Qipros, Akar tha: “Detyra jonë është të mbrojmë të drejtat e kombit tonë fisnik dhe çdo pjesë të ligjit të saj”.

Lidhur me marrëveshjet me SHBA-në dhe Rusinë për Sirinë veriore, ai tha se Turqia i merr përgjegjësitë e saj “seriozisht dhe i përmbush ato me kujdes”.

“Ne i përmbushim përgjegjësitë tona atje. Po kështu, ne bëjmë atë që duhet të bëjmë në kuadër të ligjit ndërkombëtar, brenda marrëdhënieve të mira fqinjësore në Egje, Mesdheun Lindor dhe Qipro. Ne jemi të përkushtuar për paqen dhe dialogun”, tha ministri Akar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re