Zv/ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë Faruk Kaymakcı, ka deklaruar se vendi i tij do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të zgjatur marrëveshjen e drithërave të Ukrainës.

Kaymakcı, i cili po ashtu është drejtor për çështjet e Bashkimit Evropian (BE) në ministri, tha se shpresojnë që afati të zgjatet.

Duke u adresuar në Konferencën e Krizave Ushqimore të organizuar nga Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës Turke dhe Grupi i Mirëqenies BE-Turqi në Parlamentin Evropian në Bruksel, Kaymakcı theksoi se zgjatja e marrëveshjes për një vit ose më shumë do të ishte e dobishme në drejtim të rritjes së parashikueshmërisë dhe prodhimit, duke ulur tensionet në tregjet ushqimore.

Kaymakcı po ashtu theksoi se Turqia do të bëjë çmos për të përcjellë kërkesat legjitime të Ukrainës tek pala ruse.

Duke theksuar se pandemia COVID-19 dhe ndryshimet klimatike kanë ndikuar në ushqim dhe bujqësi, Kaymakcı tha se efekti kryesor negativ ishte për shkak të konflikteve në mbarë botën.

Më vonë në llogarinë e tij në twitter, Kaymakcı shpjegoi rolin e Turqisë për sa i përket kontributit në sigurinë ushqimore në BE dhe si “Iniciativa e drithërave të Detit të Zi parandaloi një krizë globale ushqimore”.

Më 22 korrik, Turqia, Kombet e Bashkuara (OKB), Rusia dhe Ukrainë nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre portet ukrainase të Detit të Zi, që u ndërprenë pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në muajin shkurt.

Palët aktualisht po negociojnë një zgjatje dhe zgjerim të mundshëm përtej afatit të 19 nëntorit për të përfshirë eksportet ruse të grurit dhe plehrave bujqësore.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re