Skip to content

Turqia e bën realitet ndihmën që po i afron Kroacisë/ Mbërrijnë ndihmat e para!

Materialet me ndihma të dërguara nga Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) për të prekurit nga tërmeti me madhësi 6,3 ballë që goditi Kroacinë më 29 dhjetor, kanë mbërritur në Qendrën e Logjistikës Jastrebarsko afër kryeqytetit kroat, Zagreb.

Ambasadori i Turqisë në Zagreb, Mustafa Babür Hızlan, tha se ata kishin kaluar në kontakt të drejtpërdrejtë me autoritetet përkatëse menjëherë pas tërmetit për dërgimin e ndihmave në zonën e prekur nga tërmeti.

Ambasadori Hızlan gjithashtu tha se pas bisedës telefonike midis ministrave të Brendshëm u vendos që ngrohësit elektrikë ishin më të nevojshmit dhe autoritetet e AFAD-it i dërguan ngrohësit menjëherë.

“Kanë mbërritur 272 ngrohës, të cilët janë marrë në dorëzim dhe futur në depo. Na u tha se kishte kërkesa. Ngrohësit e ardhur do t’u shpërndahen kroatëve që kanë nevojë”,- tha ambasadori turk ndërsa shtoi se AFAD është duke përgatitur gjithashtu edhe 480 çadra për të prekurit nga tërmeti.

“Çadrat do të nisen nga Turqia me mauna dhe do të vijnë me rrugë tokësore. Bashkë me çadrat do të vijë edhe ekipi që do të bëjë montimin e tyre. Çadrat janë të tipit familjar, ato do të shkojnë direkt në terren dhe janë të përshtatshme për kushtet e dimrit”,- sqaroi ambasadori turk.

Gjithashtu në Turqi po përgatiten edhe shtëpitë e tipit kontejner, për të cilat ka më së shumti nevojë. Ato po ngarkohen në mauna dhe do të marrin rrugë së shpejti. Kurse autoritet kroate po përgatisin terrenin për vendosjen e tyre në qytetin Petrinja. Këto shtëpi do të instalohen për t’ua dorëzuar familjeve në nevojë, shtoi ambasadori Hızlan.

Ndihmat vazhdojnë të vijnë, e vijoi fjalën Hızlan dhe shtoi se edhe përfaqësuesi i Zyrës së Koordinatorit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ndodhet në terren dhe 500 batanije, për të cilat ka pasur nevojë, janë blerë nga TIKA dhe u janë dorëzuar autoriteteve përkatëse.

Darko Majstoroviç nga Agjencia e Mbrojtjes Civile të Kroacisë e falënderoi Turqinë për ndihmat e ofruara.

Sipas një komunikate të shkruar të lëshuar të premten nga Ministria e Punëve të Brendshme të Turqisë pas bisedës telefonike që Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) kishte pasur me Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviç, bazuar në udhëzimin e Presidentit Erdoan ministri i Punëve të Brendshme, Sulejman Sojllu (Süleyman Soylu) bisedoi në telefon me homologun kroat Davor Bozinoviç.

Pasi e ngushëlloi popullin kroat për shkak të tërmetit, ministri Soylu tha se bazuar në udhëzimet e Presidentit Rexhep Tajip Erdoan do të sigurohet e gjithë mbështetja e nevojshme për shërimin e plagëve të Kroacisë.

Shtatë (7) persona humbën jetën, 26 të tjerë u plagosën dhe disa ndërtesa u dëmtuan në tërmetin me madhësi 6,3 ballë sipas shkallës Rihter që goditi qytetin kroat Petrinja të martën e 29 dhjetorit. Lëkundjet e tërmetit u ndjenë edhe në Bosnjë e Serbi.