Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Tanju Bilgiç, lidhur me deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Christian Wagner tha se “Është e papranueshme që zëdhënësi gjerman të drejtojë pretendime të pabaza ndaj vendit tonë”.

Bilgiç dha përgjigje me shkrim në pyetjen lidhur me deklaratën e bërë nga Wagner se “Shkelja e hapësirës ajrore e Greqisë nga ana e Turqisë krijon shqetësime”.

“Është e papranueshme që zëdhënësi gjerman të drejtojë pretendime të pabaza ndaj vendit tonë, edhe pse Greqia është pala që shkel hapësirën ajrore të vendit tonë, kryen fluturime mbi territorin tonë tokësor dhe provokon avionët tanë”, tha Bilgiç, i cili shtoi më tej:

“Dëshirojmë t‘i kujtojmë zëdhënësit gjerman se nuk është Turqia pala e cila që prej më se një viti nuk i përgjigjet ftesave për takimet dypalëshe dhe për Masat për Rritjen e Besimit në kuadër të NATO-s dhe se nuk është pala që ka deklaruar ngrirjen e këtyre takimeve me pretekstin e tensioneve të fundit në Egje”.

“Edhe njëherë e ftojmë Gjermaninë e cila pretendon se tregon përpjekje për dialog dhe uljen e tensioneve, që të mos mbajë anë në mosmarrëveshjet mes dy aleatëve, të mos bëhet instrument ndaj paligjshmërisë së vendeve të tjera, si dhe të mos bëjë komente të njëanshme për fushat dhe çështjet që nuk ka autoritet dhe përgjegjësi”, tha Bilgiç.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re