Skip to content

Turqia: Edhe tri anije me drithëra do të largohen nga Ukraina

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Edhe tri anije të mbushura me drithëra do të largohen nga Ukraina më 5 gusht, në bazë të marrëveshjes të mbështetur nga Kombet e Bashkuara për të rikthyer eksportet e drithërave dhe produkteve bujqësore, tha Ministria turke e Mbrojtjes.

 

Tri anijet do të largohen nga portet ukrainase në Detin e Zi.

 

“Planifikohet që edhe tri anije të largohen nga Ukraina nesër”, tha ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu.

 

Ai tha se edhe një anije pa ngarkesë pritet të niset drejt Ukrainës, pasi aktualisht po inspektohet në Stamboll.

 

Akar ka zhvilluar bisedime me ministrat e Mbrojtjes dhe Infrastrukturës së Ukrainës lidhur me situatën rreth dërgesave të drithërave, u tha në njoftim.

 

Ky njoftim vjen një ditë pasi anija e parë kaloi Stambollin qëkur marrëveshja për eksportin e drithërave u arrit. Anija u nis nga porti ukrainas i Odesës më 1 gusht dhe ka për destinacion portin libanez të Tripolit.

 

Moska dhe Kievi arritën marrëveshje muajin e kaluar për rikthimin e eksporteve. Marrëveshja u arrit nën ndërmjetësimin e Turqisë dhe OKB-së dhe synon të zhbllokojë tri portet ukrainase, që janë bllokuar qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

 

Marrëveshja kërkon që një ekip ndërkombëtar, i përbërë nga zyrtarë nga Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina të mbikëqyrin inspektimet dhe kalimin e anijeve nëpër Bosfor.

 

Ky ekip tha përmes një deklarate se anija e parë me sukses ka lundruar dhe se marrëveshja ende po respektohet.

 

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka diskutuar përmes telefonit me shefin e OKB-së, Antonio Guterres, për zbatimin e marrëveshjes, njoftoi Ankaraja. Por, detaje të kësaj bisede ende nuk janë publikuar./REL

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë