Drejtoria për Menaxhimin e Migracionit në Ministrinë e Brendshme e Turqisë ka filluar të japë leje qëndrimi afatgjatë për turqit tatarë të Krimesë, të cilët përfshihen në statusin e turqve mesketë, ujgurë, bullgarë dhe grekë të cilët janë me kombësi turke.
Sipas informacionit që AA ka marrë nga Drejtoria e Menaxhimit të Migracionit, thuhet se kanë nisur punimet për dhënien e lejeve të qëndrimit afatgjatë për turqit tatarë të Krimesë, pas deklaratës së ministrit të Brendshëm, Süleyman Soylu në qershor 2022.

Në mënyrë që një shtetas joturk të marrë leje qëndrimi afatgjatë, është e nevojshme të qëndrojë në Turqi për 8 vjet pa ndërprerje ndërkaq në përputhje me vendimin e Bordit të Politikave të Migracionit të datës 15 shkurt 2017, lejet e qëndrimit afatgjatë mund t’u jepen turqve bullgarë, grekë, mesketë dhe ujgurë pa kërkesën kohore të lartpërmendur.

Në këtë kuadër, Drejtoria për Menaxhimin e Migracionit ka përfunduar punimet për statusin e ri që do t’u jepet turqve tatarë të Krimesë. Tatarët e Krimesë u përfshinë gjithashtu në statusin “Njerëzit me prejardhje turke” ku bëjnë pjesë turqit mesketë, ujgurë, bullgarë dhe grekë.

“Nuk do të kërkohet 8 vjet qëndrim të pandërprerë në Turqi”

Praktika e lëshimit të lejeve të qëndrimit afatgjatë, e cila u jep turqve tatarë të Krimesë “të drejtën për të qëndruar pafundësisht” pa kërkesën për të qëndruar në Türkiye për 8 vjet pa ndërprerje, filloi që në gusht.

Turqit tatarë të Krimesë që vijnë në Turqi do të mund të kenë leje qëndrimi afatgjatë nëse plotësojnë kushtet e nevojshme dhe vlerësohen të përshtatshme.

Ata që dëshirojnë të përfitojnë nga kjo e drejtë, do të mund të aplikojnë pranë drejtorive provinciale të administrimit të migracionit me dokumentet e kërkuara pasi të caktojnë një takim online.

Deri më tani, 57.056 turq bullgarë, grekë, ujgurë dhe mesketë janë pajisur me leje qëndrimi afatgjatë. Leje qëndrimi afatshkurtër, familjar, studentor dhe humanitar u janë dhënë personave që nuk preferonin leje qëndrimi afatgjatë.

Viktimat e luftës Rusi-Ukrainë janë pritur në 2.804 qendra turke

Turqia zgjati dorën e ndihmës për 4.296 persona me origjinë turke të prekur nga lufta mes Ukrainës dhe Rusisë. Në kuadër të kësaj, 2.804 persona, 409 prej të cilëve turq tatarë të Krimesë dhe 2.395 turq mesketë, janë pritur në qendrat në 5 provinca. Në qendra ofrohen shërbime si shëndetësi, psikolog, aktivitete dhe edukim për fëmijët që janë viktima të luftës.

Pas ndryshimit të ligjit në vitin 2002, 101.995 turq mesketë dhe 6.787 turq ujgurë u bënë shtetas të Turqisë.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re