Greqia duhet të përmbahet nga testimi i durimit të Turqisë me provokime, duke përfshirë kërcënimet për të zgjeruar ujërat e saj territoriale në Detin Egje, paralajmëroi ministri turk i mbrojtjes.

Duke iu drejtuar një grupi gazetarësh në Ankara, ministri Hulusi Akar tha se Turqia dëshiron të zgjidhë mosmarrëveshjet përmes dialogut me një vend fqinj që është, si Turqia, anëtare e NATO-s dhe ta kthejë detin Egje në një “det miqësie”.

Megjithatë, ai akuzoi Greqinë se po vazhdon, siç e quajti ai, veprime provokuese, duke përfshirë militarizimin e ishujve pranë kontinentit të Turqisë, në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare.

“Greqia nuk duhet të bëjë një llogaritje të gabuar dhe të mendojë se është koha e duhur për të zgjeruar ujërat territoriale në 12 milje. Ata nuk kanë nevojë të na testojnë në asnjë mënyrë dhe nuk kanë nevojë të hyjnë në një aventurë të tillë. Shpresoj që të mos e bëjë një gabim të tillë”, ka shtuar ai.

 Në mosmarrëveshje të gjatë

“Të dy palët le të përdorin pasurinë, le të jetojnë gjatë dhe të begatë edhe populli turk edhe ai grek”, shtoi ministri turk.

Greqia dhe Turqia kanë qenë prej kohësh në mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, duke përfshirë të drejtat territoriale në Detin Egje dhe mbi të drejtën për të eksploruar energji në Mesdheun lindor.

Greqia thotë se rezervon të drejtën për të zgjeruar ujërat e saj territoriale nga gjashtë miljet detare aktuale rreth ishujve të saj në Egje.

Turqia ka thënë për një kohë të gjatë se do ta konsideronte këtë veprim, i cili do të bllokonte hyrjen e Turqisë në Egje, si një arsye për luftë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re