Të paktën 12 luftëtarë kurdë në Kobani u vranë gjatë një operacioni ushtarak turk që filloi në mesnatë.

Duke folur për një operacion shumë të mirëplanifikuar, në Qendrën Operative të Forcave Ajrore ishte i pranishëm edhe ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar, i shoqëruar nga komanda e forcave të armatosura. Madje ministri turk i Mbrojtjes dha urdhër për fillimin e operacionit.

Ministria turke njoftoi se operacioni u krye në bazë të të drejtave të vetëmbrojtjes që rrjedhin nga neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, me qëllim eliminimin e sulmeve terroriste nga Iraku verior dhe Siria. Qëllimi, thotë Ankaraja, është sigurimi i kufijve dhe eliminimi i terrorizmit në burimin e tij.

“Ju keni përfunduar me sukses operacionin. Ne jemi krenarë për këtë”, u tha Akar pilotëve në radio pasi bombardimet përfunduan dhe aeroplanët u kthyen në bazat e tyre, duke shtuar se ai ishte krenar për ta dhe i ofroi urimet e tij.

“Terroristët dhe strukturat që u përkisnin terroristëve u shkatërruan”

“Qëllimi ynë është siguria e 85 milionë qytetarëve tanë dhe kufijve tanë dhe t’i përgjigjemi çdo sulmi tradhtar ndaj vendit tonë”, tha Akar, i cili tha se operacioni kundër objektivave terroriste në Irakun verior dhe Siri që nga mesnata ishte planifikuar dhe ekzekutuar me kujdes.

Operacioni, tha ai, ishte planifikuar mirë për të shmangur viktimat civile.

“Strehëzat, depot e terroristëve, shpellat, tunelet u shkatërruan me shumë sukses. I pamë nga afër. Shtabi i organizatës terroriste u godit dhe u shkatërrua me goditje direkte. Vetëm terroristët dhe strukturat në pronësi të terroristëve u shkatërruan”, tha ai.

Në të njëjtin kontekst, ai shprehu vendosmërinë dhe aftësinë e Turqisë për të shpëtuar vendin dhe kombin nga terrorizmi.

Reagimi i ashpër turk erdhi pasi më 13 nëntor, në zemër të Stambollit ndodhi një shpërthim që shkaktoi gjashtë viktima dhe plagosi më shumë se 80. Autore qe një 23-vjeçare siriane e ardhur nga Kobani, e përgatitur nga strukturat kurde që Ankaraja i konsideron si terroriste.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re