Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka theksuar se ndërhyrja ushtarake e Rusisë ndaj Ukrainës është e papranueshme dhe i bëri thirrje Rusisë që të ndalë sa më parë këtë veprim të padrejtë dhe të paligjshëm.
“E konsiderojmë të papranueshëm dhe kundërshtojmë operacionin ushtarak të filluar kundër Ukrainës nga Forcat e Armatosura të Federatës Ruse”, thuhet në njoftimin nga ministria turke.
Më tej, thuhet se ky sulm, përtej eliminimit të marrëveshjes së Minskut, është një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar dhe përbën rrezik serioz për sigurinë e rajonit dhe botës.
“Turqia beson se duhet të respektohet sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës dhe ajo është kundër ndryshimit të kufijve me rrugën e armëve. I bëjmë thirrje Federatës Ruse që të ndalë sa më parë këtë veprim të padrejtë dhe të paligjshëm. Mbështetja jonë për unitetin politik, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës do të vazhdojë”, tha ministria turke.
