Vëllimi i tregtisë dypalëshe midis Türkiyes dhe SHBA-së po vazhdon duke u rritur, tha sot ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, duke kërkuar heqjen e sanksioneve kundër Ankarasë në fushën e industrisë së mbrojtjes.
Në një konferencë të përbashkët shtypi me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Antony Blinken në Kompleksin Presidencial në Ankara, Çavuşoğlu tha se finalizimi i marrëveshjes së shitjes së avionëve luftarakë F-16 është i dobishëm për të dyja palët.

Ai vuri në dukje se lufta kundër terrorizmit është një pikë prioritare në agjendën e përbashkët dhe më tej kërkoi që të ketë bashkëpunim më efektiv në fushën e sigurisë.

I pyetur në lidhje me qëndrimin e Türkiyes për mbështetjen e SHBA-së për organizatën terroriste YPG/PKK në Siri, Çavuşoğlu tha se Türkiye beson se bashkëpunimi me grupet terroriste kundër një grupi tjetër është një “gabim vdekjeprurës” dhe se grupi terrorist PKK/YPG nuk po lufton grupin terrorist DEASH.

Çavuşoğlu i bëri thirrje homologut të tij amerikan që të luftojnë së bashku kundër çdo lloj terrorizmi dhe grupi terrorist.

Duke përmendur marrëveshjen e tetorit 2019 të nënshkruar midis Ankarasë dhe Washingtonit, Çavuşoğlu tha se SHBA-ja duhet të përmbushë përgjegjësitë e saj që dalin nga marrëveshja.

Ankaraja dhe Washingtoni arritën një marrëveshje në tetor 2019 për të ndalur operacionin e Türkiyes “Burimi i Paqes” në veri të Sirisë për 120 orë për të lejuar tërheqjen e terroristëve të YPG/PKK-së nga një zonë e planifikuar e sigurt, por Türkiye ka thënë se SHBA-ka nuk i ka përmbushur premtimet e saj.

I pyetur për lidhjet dypalëshe, Çavuşoğlu tha se të dy vendet nuk duhet të presin për një fatkeqësi tjetër për të përmirësuar lidhjet dhe kërkoi të ndërmarrin hapa konkretë dhe të sinqertë për të përmirësuar marrëdhëniet Türkiye-SHBA.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re