Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD), përmes një fushate të nisur në Turqi ka donuar 1.2 milionë dollarë te Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), me qëllim për të siguruar Rripin e Gazës me ndihmë urgjente mjekësore.

Donacioni është ndarë në Gaza, pasi u nënshkrua një marrëveshje midis të ngarkuarit me punë të Turqisë në Kuds, Erman Topçu dhe drejtorit të zyrës së OBSH-së në Gaza, Mahmoud Dahir.

Duke folur për Anadolu Agency,Topçu dënoi dhunën e fundit izraelite kundër demonstruesve të paarmatosur në Rripin e Gazës.

“Një numër i palestinezëve janë vrarë gjatë këtyre incidenteve të tmerrshme të fundit, veçanërisht më 14 maj”, tha ai, duke vazhduar të theksonte se 13 mijë të tjerë u plagosën nga sulmi i ushtrisë izraelite.

Duke vënë në dukje se OKB kishte kërkuar ndihmë urgjente pas vrasjes së një numri të madh të njerëzve, Topçu theksoi se Turqia i ishte përgjigjur apelit duke disbursuar 1.2 milion dollarë nëpërmjet AFAD-it.

“Së paku 165 mijë pacientë mjekësor palestinezë dhe të lënduar do të përfitojnë drejtpërsëdrejti nga kjo ndihmë, ndërsa 350 mijë të tjerë do të jenë në gjendje të përdorin atë në mënyrë indirekte”, tha ia.

Sipas Topçu, Turqia ka marrë mesazhe të mirënjohjes nga udhëheqja e OKB-së dhe ajo palestineze.

“Ndihma që po dërgojmë nuk është e kufizuar vetëm për këtë disbursim. Të gjitha institucionet tona shtetërore nxituan në veprim pas incidenteve të fundit (në Gaza). Agjencia e Ndihmës Turke (TIKA) gjithashtu koordinon me Ministrinë Palestineze të Shëndetit dhe ka filluar të ofrojë pajisje mjekësore të nevojshme”, tha Topçu.

Sipas tij, Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë menjëherë pas dhunës gjithashtu dërgoi furnizime mjekësore tek homologu palestinez.

“Kriza humanitare në Gaza nuk është asgjë e re, është duke u zhvilluar për një kohë të gjatë. Sipas OKB-së, Gaza do të jetë e pabanueshme deri në vitin 2020”, paralajmëroi ai.

Ai më tej vazhdoi duke theksuar se rreth 30 mijë palestinezë kishin marrë ndihmë ushqimore nga TIKA që kur muaji i Ramazanit filloi më herët këtë muaj.

“TIKA ka dorëzuar më shumë se 20 mijë paketa me ndihma ushqimore në të gjithë Bregun Perëndimor në Gaza”, tha ai.

Topçu shtoi se Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC), nga e cila Turqia aktualisht mban presidencën e rradhës, e kishte bërë atë prioritet për të përmirësuar kushtet socio-ekonomike me të cilat ballafaqohen banorët palestinezë të Kudsit të okupuar.

“Falë TIKA-s, ne kemi nisur një projekt për të siguruar mbështetje financiare për familjet në nevojë dhe për tregtarët në rrethin e Qytetit të Vjetër të Kudsit Lindor”, theksoi ai.

– “Turqia po i ofron Palestinës mbështetje humanitare dhe politike”

Shumë njerëz turq dhe agjenci shtetërore turke, tha ai, ishin aktualisht të pranishme në Palestinë.

“Njerëzit tanë që vizitojnë Kudsin dhe xhaminë Al-Aksa nuk po shkojnë vetëm për turizëm. Ata gjithashtu mbështesin njerëzit atje”, tha Topçu, duke shtuar se Turqia po i ofron Palestinës mbështetje humanitare dhe politike.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim çështjen palestineze”, theksoi ai.

Drejtori i zyrës së OBSH-së në Gaza, Mahmoud Dahir, nga ana e tij, falënderoi Turqinë për reagimin e saj të shpejtë ndaj apelit të OKB-së për ndihmë.

“OBSH njoftoi se kishte nevojë urgjente prej 1.1 milionë dollarë për të përmbushur nevojat mjekësore të Palestinës dhe Turqia u përgjigj në kohën e duhur me një donacion prej 1.2 milion dollarë”, bëri të ditur Dahir.

“Shumë njerëz u plagosën gjatë dhunës së fundit në Gaza. Ne shpresojmë se kjo ndihmë do të lehtësojë dhimbjen që ndiejnë”, shtoi ai.

Megjithatë, Dahir theksoi se 19 milion dollarë shtesë janë të nevojshme për të përmbushur shpenzimet mjekësore të Gazës.

Tensionet kanë qenë të larta në territoret palestineze që kur më herët këtë muaj SHBA-të zhvendosën ambasadën e tyre nga Tel Avivi në Kuds, duke shkaktuar kundërshtime dhe protesta në botën arabe dhe muslimane.

Që prej 30 marsit, më shumë se 115 palestinezë janë vrarë nga armë zjarri të ushtrisë izraelite dhe mijëra të tjerë janë plagosur gjatë protestave anti-okupuese në lindje të Rripit të Gazës.

Protestuesit kërkojnë “të drejtën e kthimit” në shtëpitë e tyre në Palestinën historike, nga e cila u dëbuan në vitin 1948 për t’i hapur rrugë shtetit të ri të Izraelit./.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re