Kerem Divanlıoğlu, ambasador i Turqisë në kryeqytetin e Mianmarit, Nepxhidou tha se Turqia është vendi me qëndrimin më aktiv dhe më efikas për sa i përket ngjarjeve në Arakan, duke iu referuar hapave diplomatike dhe mbështetjen humanitare që Turqia ka ofruar për muslimanët e Arakanit.
Divanlıoğlu, i cili së bashku me zyrtarë të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe ambasadorët në Mianmar më 2 tetor vizituan shtetin e Arakanit, zhvilloi një intervistë me Anadolu Agency (AA) lidhur me përshtypjet e tij dhe aktivitetet humanitare të Turqisë për muslimanët e Arakanit.
Ambasadori turk tha se vizita në Arakan e delegacionit të OKB-së dhe diplomatëve të huaj në Mianmar u realizua pas thirrjes së Ministres së Jashtme të Mianmarit dhe Ministres së Presidencës, Aung San Suu Kyi, e cila gjatë një fjalimi televiziv më 19 shtator tha se “Qeveria e Mianmarit nuk frikohet nga hetimet ndërkombëtare”.
“Duhet të vazhdojnë përpjekjet për kthimin në fshatra”
Divanlıoğlu tha se delegacioni i OKB-së dhe diplomatëve kanë shkuar në kryeqytetin e Arakanit, Sittwe, ndërsa që aty, kanë kaluar me helikopterë në tre grupe në qytetin Maungdaw në kufi me Bangladeshin.
Para ngjarjeve të dhunshme, Divanlıoğlu thotë se 90 për qind e popullatës në këtë qytet përbëhej nga muslimanët, kurse vetëm një pakicë e vogël i përkiste komunitetit budist.
“Përafërsisht, në veri të Arakanit jetojnë rreth 800 mijë muslimanë. Por, 500 mijë prej tyre aktualisht janë në Bangladesh. Teksa fluturuam me helikopter, pashë shumë fshatra të shkatërruar. Shumë fshatra ishin të shkatërruar dhe të rrafshuar me tokën”, tregon Divanlıoğlu.
Ai shton se në rajon mbizotëron frika dhe pasiguria, ndërsa në nga fshatrat muslimane në Rathidaung, vetëm pesë kanë arritur të mbijetojnë.
Ambasadori turk rrëfen se së bashku me delegacionin kanë vizituar njërin prej këtyre fshatrave, Ah Nauk Pyin, dhe aty kanë zhvilluar një mbledhje me muslimanët e fshatit.
“Lidhur me këtë fshat, në media kishte një lajm se ai është tërësisht i rrethuar nga budistë, se vuajnë shumë dhe janë të kërcënuar nga budistët. Ne shkuam në fshat edhe për ta parë këtë gjë nga afër, edhe për t’u ofruar mbështetje muslimanëve”, tha Divanlıoğlu.
“Popullata konfirmoi se janë të rrethuar nga budistë, dhe kërkuan të kenë siguri dhe t’u zgjidhet problemi i urisë. Në këtë mbledhje i pranishëm ishte edhe Ministri i Shëndetësisë i Mianmarit. Zyrtarët e Mianmarit u zotuan se brenda dy ditëve do të vendosin siguri dhe se do të ofrohet ndihmë urgjente ushqimore”, shtoi Divanlıoğlu.
Ai u shpreh se tani e tutje, duhet të vazhdojnë përpjekjet kundrejt Mianmarit për kthimin e muslimanëve në fshatrat e tyre.
“Aktivitetet e ndihmave humanitare duhet të rifillojnë”
Divanlıoğlu e cilësoi si problem të madh vendimin e qeverisë së Mianmarit për të mos lejuar misionin hetimor të OKB-së të futet në Arakan.
“Qeveria e Mianmarit duhet urgjentisht të ndërmarrë hap lidhur me këtë”, tha ai, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar pret që ky mision të lejohet të hyjë në Arakan.
“Janë ndaluar aktivitetet e ndihmave humanitare në veri, të cilat OKB i ka kryer në Arakan. Këto aktivitete duhet të rifillojnë me shpejtësi, sepse këto hapa shpëtojnë jetëra. Nuk bëhet fjalë vetëm për ndihme ushqimore, por për ushqime proteinike të veçanta për fëmijë të kequshqyer dhe mbështetje për gratë shtatëzëna”, tha ai.
Ambasadori tha se Turqia do të vazhdojë së bashku me komunitetin ndërkombëtar ta ngre çështjen para autoriteteve të Mianmarit.
“Turqia ka pozicion kryesues dhe të veçantë në këtë krizë”
Divanlıoğlu tha se Turqia përpiqet edhe në aspektin diplomatik, edhe përmes ndihmave humanitare, të ofrojë mbështetje për muslimanët e Arakanit. Edhe presidenti Recep Tayyip Erdoğan, siç tha ai, i qaset problemit vetëm nga aspekti humanitar.
Sipas tij, Turqia ka krijuar kontakte me qeverinë e Mianmarit për zgjidhjen e problemit, ndërsa edhe qeveria e Mianmarit, shton ai, e ka kuptuar këtë dhe ka shprehur besim ndaj Turqisë.
“Turqia dhe TIKA janë ndër të paktat shtete dhe organizata që zhvillojnë aktivitete në rajon aktualisht. Rol kritik gjatë krizës ka luajtur biseda e telefonike e presidentit tonë me Aung San Suu Kyi”, tha Divanlıoğlu.
“Që nga fillimi, Turqia ka pasur qëndrimin më aktiv dhe më efikas. Ne nuk presim të shpërblehemi. Ne i qasemi çështjes vetëm nga aspekti humanitar”, vuri në dukje Divanlıoğlu, duke shtuar se Turqia ka pozicion kryesues dhe të veçantë në këtë krizë.
“Edhe Mianmari, edhe muslimanët e Arakanit, e dinë se ne nuk kemi ndonjë axhendë atje, por duam vetëm të ndihmojmë nga aspketi humanitar”, shtoi ai.
Gjatë vizitës së tij, Divanlıoğlu rrëfen se është pritur me nderime dhe falënderime nga muslimanët e Arakanit kur u ka treguar se është ambasador i Turqisë.
“Pozicioni ynë në këtë krizë synon të mobilizojë komunitetin ndërkombëtar, të mos ndërpresim dialogun me Mianmarin dhe t’u ofrojmë mbështetje muslimanëve të Arakanit. Ata e shohin Turqinë s’i shpresa e tyre e vetme. Është e rëndësishme të avancojmë duke i marrë parasysh të gjitha këto, tha për AA Ambasadori i Turqisë në Nepxhidou, Kerem Divanlıoğlu, shkruajnë mediet turke.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re