Turqia i bëri thirrje qeverisë izraelite të dielën të marrë masat e nevojshme për të ruajtur “status quo”-në në vendet e shenjta në mes të tensioneve në rritje për marshimin me flamur nga kolonët izraelitë në Kudsin Lindor të pushtuar.

“Inskenimi i një bastisjeje në xhaminë Al-Aksa nga deputeti izraelit Itamar Ben-Gvir dhe grupet fanatike hebreje nën mbrojtjen e policisë izraelite dhe përpjekjet për të adhuruar në këtë zonë janë shkelje e qartë e ‘status quo’-së të Xhamisë Al-Aksa dhe Haram Al-Sharif”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë izraelite që të marrë masat e nevojshme për të ruajtur ‘status quo’-në në vendet e shenjta të sipër përmendura dhe përsërisim thirrjen tonë për të mos lejuar veprime provokuese që do të përshkallëzojnë tensionet në rajon”, shton deklarata.

Thirrja e Turqisë erdhi ndërsa mijëra kolonë izraelitë organizuan një marshim me flamur për të shënuar atë që ata e quajnë ditën e bashkimit të Kudsit, duke iu referuar pushtimit të qytetit nga Izraeli në vitin 1967.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet kompleksi i Xhamisë Al-Aksa, gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967. Ajo aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980 në një lëvizje që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Përleshjet rreth marshimit me flamur të vitit të kaluar çuan në një ofensivë 11-ditore izraelite në Rripin e Gazës, gjatë së cilës u vranë më shumë se 260 palestinezë dhe mijëra u plagosën. Trembëdhjetë izraelitë u vranë gjithashtu nga sulmet palestineze nga Gaza gjatë konfliktit. Dhuna, më e përgjakshmja në vite, u ndal me armëpushimin e ndërmjetësuar nga Egjipti.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re