Duke i theksuar Rusisë rëndësinë e vazhdimit të nismës së korridorit të drithërave të arritur në muajin korrik, e cila deri më sot ka dërguar mbi 9.2 milionë tonë drithëra në vendet në nevojë, ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, i kërkoi Rusisë të ri-mendojë vendimin e saj për pezullimin e marrëveshjes.

Siç njofton Ministria e Mbrojtjes e Turqisë, në një bisedë telefonike, Akar i tha homologut të tij rus, Sergei Shoygu, se vazhdimi i nismës së drithërave, që jep kontribut të madh në zbutjen e krizës globale të ushqimit dhe që tregon se të gjitha problemet mund të zgjidhen përmes bashkëpunimit dhe dialogut, ka një rëndësi të madhe.

“Vendimi i Rusisë për pezullimin e nismës së dërgesave të drithërave, që është thjesht një aktivitet humanitar që duhet të ndahet nga kushtet e konfliktit, duhet të rishqyrtohet”, i tha shefi i mbrojtjes turke homologut të tij rus.

Ashtu siç ka bërë deri më tani, tha Akar, Turqia do të vazhdojë ta bëjë pjesën e saj për të garantuar paqen në rajon dhe për të promovuar disponueshmërinë e ndihmës humanitare nën udhëheqjen e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan.

Komentet e ministrit Akar vijnë pasi Rusia të shtunën njoftoi pezullimin e saj nga marrëveshja e eksportit të drithërave në Detin e Zi të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara (OKB).

Më 22 korrik, Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre portet ukrainase të Detit të Zi, që u ndërprenë pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në muajin shkurt. Një qendër e përbashkët koordinimi me zyrtarë nga të tre vendet dhe OKB-ja u formua në Istanbul për të mbikëqyrur dërgesat.

Më herët, presidenti Erdoğan tha se Turqia do të vazhdojë përpjekjet e saj për të gjetur një zgjidhje për krizën globale të ushqimit, siç ka bërë deri më tani, pavarësisht tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja.

“Megjithëse Rusia është në mëdyshje në këtë drejtim pasi nuk janë ofruar të njëjtat lehtësira për atë, ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t’i shërbyer njerëzimit”, tha Erdoğan.

Sipas burimeve të Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, që nga 1 gushti, në kuadër të marrëveshjes mbi 9.2 milionë tonë drithëra janë transportuar përmes 408 anijeve, përfshirë grurë, misër dhe elb.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re