Turqia të dielën kritikoi Izraelin për vendimin për të ecur përpara me ndërtimin e qindra shtëpive në një vendbanim të Kudsit Lindor dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të kundërshtojë veprimet agresive të Tel Avivit.

“Izraeli, i cili kohët e fundit miratoi ndërtimin e 108 vendbanimeve të paligjshme shtesë në Kudsin Lindor, këtë herë me vendimin për të ndërtuar një vendbanim të ri të paligjshëm me 1.257 njësi afër Kudsit Lindor, edhe një herë tregoi se vazhdon të shkelë ligjin ndërkombëtar dhe të uzurpojë të drejtat e popullit palestinez”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë.

Është e qartë se Izraeli përpiqet të parandalojë krijimin e një shteti të pavarur dhe sovran Palestinez me integritet gjeografik duke ndërtuar vendbanime shtesë të paligjshme midis Kudsit Lindor dhe Bregut Perëndimor, thuhet më tej. 

Duke kujtuar se është 32-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shtetit të Palestinës, ministria theksoi se toka palestineze i përket popullit palestinez.

“Ne ftojmë të gjithë anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare që mbështesin vizionin e një zgjidhjeje me dy shtete për të kundërshtuar veprimet agresive të Izraelit”, shtohet në deklaratë.

Të enjten, autoritetet izraelite miratuan ndërtimin e 108 njësive të banimit në vendbanimin Ramat Shlomo në Kudsin Lindor.

Sipas gazetës Haaretz, qeveria izraelite ka në plan të miratojë mijëra njësi vendbanimesh në Kudsin Lindor si një hap paraprak para inaugurimit të presidentit të zgjedhur të SHBA-ve Joe Biden më 20 janar të vitit 2021.

Biden dhe zëvendës-presidentja e zgjedhur Kamala Harris në fushatën e tyre elektorale deklaruan se do t’i përmbahen zgjidhjes së dy shteteve për të zgjidhur konfliktin palestinezo-izraelit, një zgjidhje që bie në kundërshtim me veprimet dhe planet e Izraelit për të aneksuar pjesë të Bregut Perëndimor të okupuar.

Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, konsiderohet si “territor i okupuar” sipas ligjit ndërkombëtar, duke i bërë të gjitha vendbanimet hebreje të paligjshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re