Ministria e Jashtme e Turqisë, lidhur me aneksimin e disa rajoneve ukrainase nga Rusia ka deklaruar se “Kundërshtojmë vendimin e Rusisë për aneksimin e rajoneve Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia të Ukrainës”.
Në një deklaratë me shkrim lidhur me aneksimin e disa rajoneve të Ukrainës nga Rusia, ministria ka rikujtuar se Turqia nuk ka njohur aneksimin e Krimesë nga Rusia me një referendum të paligjshëm të mbajtur në vitin 2014 dhe se në çdo rast Turqia ka theksuar mbështetjen e saj të fortë për integritetin territorial, pavarësinë dhe sovranitetin e Ukrainës.

“Në përputhje me këtë qëndrim që kemi mbajtur në vitin 2014, ne kundërshtojmë vendimin e Rusisë për aneksimin e rajoneve Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.

Më tej në deklaratën e ministrisë thuhet se “Është e pamundur të pranohet nga ana jonë ky vendim i cili është një shkelje e rëndë e parimeve të vendosura në ligjin ndërkombëtar. Ne përsërisim mbështetjen tonë se lufta e cila ka marrë përmasa gjithnjë e më të rënda të zgjidhet mbi bazën e një paqeje të drejtë që do të arrihet përmes negociatave”.

– “Rusia aneksoi edhe rreth 15 për qind të territorit të Ukrainës”

Pas Krimesë, Rusia duke aneksuar edhe rajonet Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia, ka bashkuar me territorin e saj rreth 15 për qind të Ukrainës.

Në ceremoninë e mbajtur në kryeqytetin Moskë, presidenti rus Vladimir Putin dhe krerët e të ashtuquajturave administratave pro-ruse nënshkruan marrëveshje për bashkimin e rajoneve ukrainase Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia me Rusinë.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re