Përveç rrezikut për të çuar në më shumë konflikte, konflikti aktual midis Izraelit dhe Palestinës ka gjithashtu potencial për të sjellë paqe historike, tha të martën ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, raporton Anadolu.

“Luftërat më të mëdha mund të dalin nga kjo luftë, por gjithashtu mund të çojnë në paqe historike. Presidenti ynë Rexhep Tajip Erdogan beson se paqja historike është e mundur”, tha Fidan në një konferencë të përbashkët shtypi në Bejrut, kryeqyteti i Libanit, në prani të homologut të tij libanez Abdallah Bouhabib.

Fidan vuri në dukje se për vite “fuqitë hegjemonike” përdorën ndikimin e medias për të mbuluar natyrën e vërtetë të çështjes izraelito-palestineze dhe vuri në dukje se tani është koha për t’i dhënë fund.

“Tani është koha që komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë hapa seriozë drejt një zgjidhjeje me dy shtete bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e shtetit të Palestinës,” shtoi ai.

Ai gjithashtu theksoi se paqja nuk do të mbizotërojë në rajon për sa kohë që krijimi i shtetit të Palestinës vonohet.

“Kemi vite që paralajmërojmë për këtë. Ju lutemi kushtojini vëmendje paralajmërimeve që po dërgojmë”, tha Fidan.

Ai theksoi se Turqia po bën çdo përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e një lufte që mund të prekë të gjithë rajonin, duke përfshirë Libanin, Egjiptin dhe Jordaninë.

“Ju jeni duke pushtuar tokën e dikujt. I merrni shtëpinë, e hidhini jashtë, sillni dikë dhe e fusni aty, i thoni atij ‘kolon’…Kjo quhet vjedhje”, tha Fidan.

Ai theksoi se është e nevojshme të bëhet gjithçka që të mos preket popullata civile.

“Ne po diskutojmë masat për të ndaluar këtë dramë në Gaza dhe për të siguruar që popullata civile të mos preket. Ne jemi në kontakt të ngushtë me vendet e rajonit, veçanërisht në lidhje me dërgimin e ndihmave humanitare për popullatën e Gazës”, shtoi ai.

Ai tha se Ankaraja zyrtare do të vazhdojë përpjekjet e saj me qëllim të vendosjes së paqes së qëndrueshme në rajon.

Sipas informacioneve të fundit, të paktën 2,848 palestinezë, duke përfshirë 750 fëmijë, janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Gaza po përjeton një krizë humanitare pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë. Civilët ikin në jug pas paralajmërimit të Izraelit për të evakuuar zonat veriore.

Luftimet filluan kur Hamasi nisi sulme të befasishme ndaj Izraelit më 7 tetor, duke thënë ishte hakmarrje për bastisjet e mëparshme në xhaminë Al-Aksa dhe një rritje të dhunës nga kolonët izraelitë.

Si kundërpërgjigje, ushtria izraelite nisi një operacion kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re