Forcat e Armatosura Turke do të mbështesin ushtrinë e Azerbajxhanit në pastrimin e minave në territoret azerbajxhanase të çliruara nga okupimi armen, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes së Turqisë
Ministria në një njoftim të hënën konfirmoi se forcat e armatosura po ashtu do të sigurojnë trajnim ushtarak për ushtrinë azerbajxhanase.
Ekipet turke për asgjësimin e mjeteve shpërthyese do të mbështesin ushtrinë azerbajxhanase dhe trupat e saj duke pastruar mina dhe mjete të improvizuara shpërthyese në zonat e çliruara nga pushtimi armen, theksohet në njoftim.
Marrëdhëniet midis ish-republikave sovjetike të Azerbajxhanit dhe Armenisë kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur si pjesë e Azerbajxhanit dhe shtatë rajone fqinje.
Kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator, ushtria armene filloi sulmet ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanase dhe shkeli disa marrëveshje humanitare të armëpushimit.
Gjatë konfliktit 44-ditor, Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe gati 300 vendbanime dhe fshatra nga okupimi armen.
Më 10 nëntor, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të punuar drejt një rezolute gjithëpërfshirëse.
Armëpushimi shihet si një fitore për Azerbajxhanin dhe humbje për Armeninë, forcat e armatosura të së cilës janë tërhequr siç përcaktohet në marrëveshje.
