Ushtria turke ka “neutralizuar” 831 terroristë në operacionet ndërkufitare në Irakun verior që nga prilli, thanë autoritetet e mbrojtjes.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, ushtarët turq kanë konfiskuar rreth 1.300 armë dhe 316.000 municione që u përkisnin terroristëve që nga fillimi i operacioneve “Pençe-Şimşek” dhe “Pençe-Yıldırım” në prill.

Mbi 1.400 shpella dhe strehimore, si dhe 1.800 mjete shpërthyese të improvizuara janë shkatërruar deri më tani gjatë operacioneve.

Autoritetet turke përdorin termin “neutralizim” për të nënkuptuar se terroristët janë dorëzuar, vrarë ose janë kapur.

Ministria publikoi gjithashtu pamje të reja të operacioneve në vazhdim të Turqisë në rajonet Metina dhe Avasin-Basyan të Irakut.

Pamjet tregojnë forcat e armatosura turke duke hyrë në strehimoret e përdorura nga terroristët për të pastruar zonën nga terroristët, pavarësisht kushteve të vështira tokësore.

Organizata terroriste PKK shpesh përdor bazat në Irakun verior, pikërisht përtej kufirit jugor të Turqisë, për të përgatitur sulme terroriste në Turqi, ndërsa YPG/PKK është përpjekur të krijojë një korridor terrorist në Sirinë veriore, duke shënjestruar si ushtarët turq, ashtu edhe zonat kufitare.

Turqia ka kryer një sërë ofensivash që nga viti 2019 kundër grupeve terroriste në Irakun verior, veçanërisht PKK-së. Operacionet e fundit janë “Pençe-Şimşek” dhe “Pençe-Yıldırım” të nisura këtë prill në rajonet Metina dhe Avasin-Basyan. Më herët, Turqia nisi operacionet “Pençe-Kaplan” dhe “Pençe-Kartal” në qershor 2020.

Gjithashtu, që nga viti 2016, Ankaraja ka kryer një treshe operacionesh të suksesshme antiterroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar vendosjen paqësore të banorëve: Mburoja e Eufratit (2016), Dega e Ullirit (2018) dhe Burimi i Paqes (2019).

Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re