Turqia do të jetë pa yllin e saj Cengiz Under në ndeshjen e 11 tetorit ndaj Shqipërisë.
Është ky lajmi që vjen nga përfaqësuesja turke, teksa kombëtares shqiptare në sfidën e 11 tetorit i duhet vetëm fitorja
Sulmuesi anësor i Romës, Cengiz Under, i cili u dëmtua pak ditë më parë në stërvitje me kombëtaren turke duke humbur edhe sfidat ndaj Andorrës dhe Moldavisë, do të qëndrojë jashtë fushave të futbollit për minimalisht 5 javë, afat i mjaftueshëm ky për të mos qenë në fushë ndaj kuqezinjëve, por edhe ndaj Francës në ndeshjet e tetorit.
Analizat të cilave u është nënshtruar Under gjatë ditës së martë kanë evidentuar një dëmtim në bicepsin femoral të këmbës së djathtë dhe kjo do të thotë që Under do të jetë i gatshëm për Romën pas vetëm 5 javësh.
Me Turqinë në këto eliminatore Under ka luajtur shumë pak pasi nga 6 takime në total është aktivizuar për vetëm 85 minuta në fitoren 2-0 ndaj Francës ku ishte deciziv me një gol, pasi në ndeshjet e tjera ka munguar për shkaqe dëmtimi.