Me programe të ndryshme në mbarë Turqinë, sot përkujtohet 84 vjetori i ndarjes nga jeta i Mustafa Kemal Atatürkut, themeluesit të Republikës së Turqisë.
Manifestimi qendror u mbajt në platonë e Mauzoleut të Atatürkut, Anıtkabir, në Ankara, ku morën pjesë presidenti Recep Tayyip Erdoğan, kreu i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, zv/presidenti, Fuat Oktay, kryetari i Partisë CHP, Kemal Kılıçdaroğlu, kryetari i Partisë MHP, Devlet Bahçeli, kryetarja e​ Partisë IYI, Meral Akşener, drejtues të organeve të larta gjyqësore, komandantë të forcave ushtarake, përfaqësues të partive politike, burokratë dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë.

Presidenti Erdoğan vendosi kurorë me lule në mauzoleun, ndërsa më pas në orën 9:05, në kohën kur ndërroi jetë Atatürku, u nderua Presidenti i parë i Turqisë.

Pas nderimeve, flamuri turk u ul në gjysmë shtizë.

Erdoğan gjithashtu u nënshkrua në librin e veçantë të kujtimeve në Anatkabir.

Duke kujtuar Atatürk-un dhe bashkëluftëtarët e tij dhe të gjithë dëshmorët që mbrojtën pavarësinë, Erdoğan theksoi se: “Republikën e Turqisë, të cilën e keni cilësuar si ‘vepra ime më e madhe’, jemi duke e përgatitur për të ardhmen në një mënyrë më të fuqishme, më prestigjioze me vizionin ‘Shekulli i Türkiye-s’ bashkë me 85 milionë banorët. Nuk do të ndalemi deri sa t’i realizojmë ëndrrat shekullore të popullit tonë, nuk do të dorëzohemi përballë sulmeve, do të vazhdojmë përpjekjen tonë me vendosmëri. Prehu në paqe”.

Për shkak të ceremonisë përreth Anıtkabirit janë marrë masa të larta sigurie. Pas ceremonisë shtetërore mauzoleu ishte i hapur për vizitë nga popullata.

Përveç aktiviteteve në kryeqytetin e vendit, vdekja e Atatürkut përkujtohet në mbarë vendin edhe në përfaqësitë e Turqisë jashtë vendit me aktivitete të ndryshme.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re