Liderët turq, rusë dhe iranianë dënuan praninë dhe aktivitetet e shtuara të grupeve terroriste dhe degëve të tyre nën emra të ndryshëm në pjesë të ndryshme të Sirisë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, homologu i tij rus, Vladimir Putin dhe ai iranian, Ebrahim Raisi, mbrëmë u takuan në kryeqytetin iranian Teheran për samitin e shtatë në formatin e Astanës për të diskutuar zhvillimet e fundit në Siri, luftën kundër grupeve terroriste, veçanërisht YPG/PKK-së dhe DEASH-it, të cilat përbëjnë një kërcënim për sigurinë rajonale, situatën humanitare dhe kthimin vullnetar të sirianëve në shtëpitë e tyre.

Sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar pas takimit, liderët “kundërshtuan të gjitha përpjekjet për të krijuar realitete të reja në terren” nën pretekstin e luftimit të terrorizmit, përfshirë “iniciativat e paligjshme të vetëqeverisjes”.

Ata gjithashtu shprehën vendosmërinë e tyre për të qëndruar kundër “agjendave separatiste që synojnë të minojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë dhe të kërcënojnë sigurinë kombëtare të vendeve fqinje”, përfshirë sulmet dhe infiltrimin ndërkufitar.

Presidentët Erdoğan, Putin dhe Raisi thanë se siguria dhe stabiliteti në rajon mund të arrihet vetëm në bazë të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë.

Në deklaratë po ashtu thuhet se liderët shqyrtuan në detaje situatën në zonën e de-përshkallëzimit të Idlibit dhe theksuan se është e nevojshme të ruhet qetësia në terren me të gjitha marrëveshjet e Idlibit të zbatuara plotësisht, duke u pajtuar të bëjnë përpjekje të mëtejshme për të siguruar normalizimin e qëndrueshëm të situatës brenda dhe rreth zonës së de-përshkallëzimit të Idlibit, përfshirë situatën humanitare.

Liderët thanë se nuk mund të ketë “zgjidhje ushtarake për konfliktin sirian” dhe se “ai mund të zgjidhet vetëm përmes procesit politik të udhëhequr nga Siria, të lehtësuar nga OKB-ja, në përputhje me Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Presidentët ranë dakord për të mbajtur samitin e ardhshëm trepalësh në Rusi me ftesë të presidentit Putin.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re