Përfaqësuesi i Përhershëm i Turqisë në Kombet e Bashkuara (OKB), Feridun Sinirlioğlu tha se Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka nevojë për reformë dhe bëri thirrjen për vullnet politik dhe fleksibilitet për lehtësimin e procesit të reformës.

Sinirlioğlu foli në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ku u diskutua për reformat e Këshillit të Sigurimit. Ai theksoi se ka nevojë të tregohet përpjekje për reformat që do të reflektojnë të vërtetat e ditës.

Në fjalën e tij, Sinirlioğlu tha se ka nevojë për një qasje më të gjerë dhe gjithëpërfshirëse që Këshilli i Sigurimit të jetë më përfaqësues, më demokratik, më llogaridhënës dhe më efektiv.

“Anëtarësimi i përhershëm dhe e drejta e vetos u shërbejnë vetëm interesave kombëtare të vendeve të cilat kanë këto privilegje”, tha Sinirlioğlu i cili tërhoqi vëmendjen se problemi kryesor në KS të OKB-së buron nga anëtarësimi i përhershëm dhe mekanizmi i vetos.

Sipas tij, ky sistem e ka bërë jofunksional dhe e ka nxjerrë nga të qenit demokratik KS-në.

“Këshilli i Sigurimit do të jetë më përfaqësues dhe më efektiv nëse rritet numri i anëtarëve të zgjedhur dhe nëse rritet mundësia që të gjitha shtetet anëtare të marrin pjesë në Këshill”, potencoi Sinirlioğlu.

“Në ideal, e drejta e vetos duhet të hiqet sepse derisa disa vende kanë këtë drejtë, nuk mund të ketë asnjë arsye që disa të tjerë të privohen nga kjo e drejtë”, nënvizoi Sinirlioğlu i cili tha se Türkiye mbështet iniciativat për kufizimin e përdorimit të vetos në Këshill.

Ai foli edhe për rëndësinë e marrëdhënies së KS me Asamblenë e Përgjithshme dhe vuri theksin se nevojitet sistem i drejtë rotacioni duke përfshirë përfaqësim më të drejtë të grupeve rajonale dhe mundësi për grupet e përfaqësuara jomjaftueshëm.

“Nëse në KS ka dëshirë për përmirësim të sinqertë, fokusi duhet të jetë mbi modelet e mundshme që mund të zbatohen në mënyrë të shpejtë”, shtoi Sinirlioğlu, i cili bëri thirrje për vullnet politik dhe fleksibilitet për lehtësimin e procesit të reformës.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re