Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA) siguroi mbështetje materiale për fermerët e pulave dhe bletarët në kryeqytetin e Sudanit të Jugut, Juba.

Sipas deklaratës së TIKA-s, dy inkubatorë diellorë me një kapacitet prej 500 vezësh secili, mjete të tjera dhe vaksina të ndryshme iu dhanë fermerëve të pulave në bashkëpunim me Ministrinë e Blegtorisë dhe Peshkimit të Sudanit të Jugut dhe Organizatën e Zhvillimit të Iniciativës për Paqe.

Si pjesë e projektit, gjithashtu u siguruan pajisje për bletarët, duke përfshirë 300 koshere bletësh, veshje të përdorura në bletari, si dhe lloje të ndryshme të pajisjeve.

Mjetet u dorëzuan gjatë një ceremonie ku morën pjesë Ministri i Blegtorisë dhe Peshkimit i Sudanit të Jugut, Onyoti Adigo, Ambasadori i Turqisë në vend, Tuğrul Biltekin, zëvendëskoordinatori i Zyrës së TIKA-s në Juba, Turgut Gazigil, dhe përfaqësues të OJQ-ve.

Duke folur gjatë ceremonisë, Adigo tha se projekti është shumë i vlefshëm për fermerët në vend dhe ndihma për prodhimin është gjithashtu shumë e rëndësishme në një kuptim ekonomik.

Ministri, i cili tha se TIKA është gjithmonë pranë tyre, shprehu kënaqësinë e tij për projektet e organizuara deri më tani.

Ambasadori Biltekin theksoi gjithashtu rëndësinë e ndihmës për fermerët e Sudanit të Jugut dhe projektet për prodhim.

Ai tha se ndihma është bërë edhe më e rëndësishme për shkak të vështirësive ekonomike të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit dhe se Turqia ka qenë gjithmonë në anën e popullit të Sudanit të Jugut.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re