Turqia uroi Ersin Tatarin për fitoren e tij në balotazhin presidencial të mbajtur sot në Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC)

“E përgëzoj Ersin Tatarin, i cili është zgjedhur si president i TRNC-së, në emrin tim dhe kombit turk”, shkroi në Twitter presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

“Turqia do të vazhdojë të bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe ligjin e popullit të Qipros Turke”, shtoi ai.

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) të Turqisë gjithashtu përgëzoi Tatarin përmes një deklarate me shkrim, duke thënë: “Është bërë e ditur se kryeministri Ersin Tatar fitoi zgjedhjet presidenciale sipas rezultateve jozyrtare. Ne e përgëzojmë Tatarin dhe i urojmë suksese në këtë post suprem në të cilin është zgjedhur”.

Në deklaratë thuhet se rezultatet pasqyrojnë vullnetin e lirë dhe sovran të turqve qipriotë.

“Forca e turqve qipriotë buron nga aftësia e tyre për të ruajtur unitetin dhe solidaritetin e tyre brenda kornizës së solidaritetit shoqëror dhe parimeve të demokracisë”, thonë nga MPJ-ja turke.

Ministria gjithashtu shprehu kënaqësi që balotazhi presidencial i mbajtur sot në TRNC shfaqi demokracinë shembullore të vendit dhe pjekurinë politike të popullit të tij.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë në koordinim të ngushtë me të gjitha institucionet e TRNC-së, për të mbështetur barazinë sovrane të turqve qipriotë si pronar i përbashkët i ishullit, si dhe të drejtat dhe interesat e tij legjitime në Mesdheun Lindor në të gjitha rrethanat, për të përmbushur përgjegjësitë tona konvencionale dhe historike me saktësi dhe vendosmëri”, theksohet në kumtesë.

Ersin Tatar, kryeministër dhe kandidat presidencial i Partisë së Unionit Kombëtar, fitoi balotazhin presidencial në TRNC me 51,74 për qind të votave kundër kandidatit të pavarur deh presitent të deritanishëm Mustafa Akıncı, që siguroi 48,26 për qind të votave, sipas rezultateve jozyrtare.

AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re