Anija turke e eksplorimit sizmik nënujor “Oruc Reis” u kthye në port nga ujërat e diskutueshme të Mesdheut të hënën, më pak se dy javë përpara një takimi të BE në të cilin udhëheqësit evropianë do të shqyrtojnë sanksionet e mundshme kundër Ankarasë.

Turqia dhe Greqia janë në mosmarrëveshje për të drejtën për të kërkuar gaz në Mesdheun lindor.

Tensionet u përshkallëzuan në gusht kur Ankaraja dërgoi “Oruc Reis”-in në ujërat e diskutueshme të pretenduara nga Greqia.

Turqia tërhoqi anijen përpara samitit të mëparshëm të BE në tetor për të bërë vend për diplomaci, por më pas e ktheu atë sepse nuk ishte e kënaqur me rezultatet e samitit.

Më parë këtë muaj, ajo njoftoi se anija do të qëndronte në Mesdheun lindor deri më 29 nëntor.

Ministria Turke e Energjisë njoftoi të hënën se anija ka përfunduar një mision që filloi në 10 gusht.

Anija u kthye në portin e Antalias, njoftoi ministria në Twitter.

Nga ana tjetër, anija e shpimit “Yavuz” është ende në ujërat në brigjet jugore të Turqisë dhe anija e sondazhit sizmik “Barbaros Hayreddin Pasa” është ende në det në jug të Qipros.

Pas javësh tensionesh, Ankaraja dhe Athina kanë rënë dakord të rinisin bisedimet për të drejtat detare në shtator, pas një ndërprerje katër-vjeçare. Por Greqia më pas refuzoi të negociojë për sa kohë që anijet turke ishin në ujërat e diskutueshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re