Turqia i ka dhënë vërejtje diplomatike Islandës pasi kjo e fundit i ka keqtrajtuar futbollistët turq në një aeroport të vendit. Vërejtja e dhënë përmes Ambasadës së Turqisë në Oslo dënoi sjelljet “të padrejta” dhe “të dhunshme” kundër futbollistëve turq gjatë kontrollit të pasaportave dhe kërkoi marrjen e masave shtesë të sigurisë për lojtarët.

Ekipi kombëtar i futbollit të Turqisë arriti në aeroportin e Rekjavikut në Islandë të dielën vonë për kualifikimet e grupit H të UEFA EURO 2020 që do të luhet të martën.

Sipas futbollistëve, autoritetet islandeze e lanë ekipin kombëtar të prisnin rreth tre orë gjatë kontrollit të pasaportave dhe keqpërdorën sendet personale të futbollistëve.

Ndërkohë, ambasadori turk në Norvegji Fazli Corman u nis për në Islandë për të shprehur shqetësimin e vendit të tij mbi zhvillimet e fundit.

Në një postim në Twitter, ministri i jashtëm turk Mevlut Çavusoglu e cilësoi trajtimin në aeroportin e Islandës “të papranueshëm”.

“Trajtimi ndaj ekipit tonë kombëtar në aeroportin e Islandës nuk është i pranueshëm përsa i përket praktikave diplomatike dhe humanitare”, tha Cavusoglu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re