Brexit është një nga gabimet më spektakolare në historinë e Bashkimit Evropian, tha Donald Tusk në intervistën e tij të parë që pas largimit nga presidenca e Këshillit Evropian javën e kaluar.

Në një intervistë për The Guardian, njeriu që tashmë është presidenti i ri i Partisë Popullore Evropiane (EPP), grupi më i fortë në Parlamentin Evropian, tha se Brexit ishte “përvoja më e trishtuar” për të në pesë vitet e mandatit të tij.

“Ishte një periudhë tronditëse, e shënuar nga kriza e eurozonës në Greqi, debati i ndezur për migracionin dhe ardhja në pushtet e Presidentit amerikan Donald Trump”, tha politikani polak.

Duke folur për garën presidenciale të SHBA në vitin 2016 dhe fushatën e Brexit, ai tha se elementi i ri në politikë ishte “një gatishmëri e paparë për të gënjyer pothuajse çdo gjë … për ta trajtuar një gënjeshtër si një mjet fitues të justifikueshëm”.

Ai tha se kjo sjellje “e paturpshme” do t’i skualifikonte politikanët vetëm dhjetë vjet më parë.

Tusk beson se ish-kryeministri britanik David Cameron kishte gabuar në organizimin e një referendumi në të cilin ai “nuk kishte shanse të fitonte”.

Ai gjithashtu zbuloi se mëngjesin pas votimit, ai ende besonte se vendimi mund të rrëzohej.

“Synimi im ishte të vazhdoj gjithë debatin në Evropë, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Me këtë, unë mund të kem shpresuar (disi naive) që përfundimi të mund të jetë i ndryshëm në fund”, shtoi Tusk.

Tusk e përshkroi presidentin francez Emmanuel Macron si “shpresën e ardhshme të Evropës” dhe një mik të vërtetë, por tha se ai kishte probleme me “ide dhe opinione shumë të reja”.

Por ai gjithashtu kundërshtoi qasjen e Macron ndaj Rusisë, duke thënë se ai ishte “disorientuar” nga kjo narrativë e re.

“Nëse ne nuk jemi në gjendje ta mbrojmë Ukrainën nga agresioni rus, ai jo vetëm që do të jetë problem për Ukrainën, por edhe për Evropën në tërësi”, tha Tusk.

Tusk, i cili krenohet me njohuri të historisë evropiane, ishte gjithashtu kritik ndaj refuzimit të Macron për të hapur negociatata me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë.

“Jo”-ja e Francës ka bërë që liderët në rajone të dëshpërohen, përfshirë kyeministrin e Maqedonisë Veriore Zoran Zaev, i cili është konfrontuar me nacionalistët për t’i dhënë fund një mosmarrëveshje të gjatë për emrin me Greqinë, shkruan The Guardian.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re