Twitter fshiu një postim nga ambasada kineze në Shtetet e Bashkuara duke pretenduar se Pekini kishte inkurajuar “emancipimin” e anëtarëve të pakicës ujgure në provincën Xinjiang.

Cicërima e ambasadës kineze përmbante një lidhje me një artikull të medias shtetërore duke pretenduar se ujgurët, falë masave për të luftuar ekstremizmin e pretenduar fetar, nuk janë më “makina për lindjen e fëmijëve”, raporton BBC.

Ujgurët janë një pakicë e besimit kryesisht musliman dhe jetojnë në provincën Xinjiang, në Kinën veriperëndimore.

Ambasada pretendoi në një cicërimë, botuar të enjten, se anëtarët e pakicës ujgure, falë promovimit të shëndetit riprodhues, janë më të sigurt në vetvete dhe më pak të varur nga burrat.

Akuzat e sterilizimit të detyruar

Fundjavën e kaluar, postimi u zëvendësua nga një mesazh në Twitter se shkelte rregulloret e platformës, pa detaje të mëtejshme.

Sinologu gjerman Adrian Zenz pretendoi në një raport të botuar vitin e kaluar se Pekini kishte detyruar shumë anëtarë të pakicës ujgure të sterilizoheshin, në mënyrë që të kontrollonte madhësinë e asaj popullsie.

Por Kina e mohon këtë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Zhao Lijian akuzoi mediat për “prodhimin e informacionit të rremë për çështje të lidhura me Xinjiang”.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re