Twitter ka vendosur një kufizim të përkohshëm në numrin e postimeve në këtë platformë që përdoruesit mund t’i lexojnë brenda një dite, tha pronari Elon Musk.

 

Në një postim të tij në Twitter, Musk tha se llogaritë e paverifikuara tani mund t’i shohin vetëm deri në 1.000 postime në ditë.

 

Për llogaritë e reja të paverifikuara, numri i postimeve është kufizuar në 500. Ndërkohë, llogaritë me status të “verifikuar” aktualisht mund të shohin deri në 10 mijë postime në ditë.

 

Miliarderi Musk fillimisht vendosi kufizime më të rrepta, por i ndryshoi ato brenda pak orësh pasi i bëri publike.

 

Musk tha se kufizimet e përkohshme ishin vënë për të adresuar “nivelet ekstreme të grumbullimit të të dhënave dhe manipulimit të sistemit”, raporton transmetuesi publik britanik BBC.

 

Ai nuk shpjegoi se çfarë nënkuptonte me “manipulim të sistemit”.

 

“Nga ne po grumbulloheshin aq shumë të dhëna saqë po degradohej shërbimi për përdoruesit e zakonshëm”, tha Musk, pasi përdoruesve që s’kishin llogari iu paraqitën mesazhe që u kërkonin të identifikoheshin për të parë përmbajtjen në Twitter.

 

Lëvizja u përshkrua si një “masë e përkohshme emergjente”.

 

BBC raporton se Musk mund të ketë qenë duke folur për grumbullimin e sasive të mëdha të të dhënave, të përdorura nga kompanitë e inteligjencës artificiale (AI) për të trajnuar modele të mëdha gjuhësore, të cilat fuqizojnë teknologjitë si ChatGPT i Open AI.

 

Grumbullimi i të dhënave është tërheqja e informacionit nga interneti. Modelet e mëdha gjuhësore të AI duhet të mësojnë nga bisedat reale mes njerëzve. Por, cilësia e bisedave është jetike për suksesin e aplikacioneve të tilla. Grumbullimi i miliarda postimeve të Reddit dhe Twitter mendohet se përdoren për të trajnuar teknologjitë si ChatGPT.

 

Por, platformat si Twitter dhe Reddit duan të paguhen për këto të dhëna.

 

Në prill, shefi ekzekutiv i Reddit, Steve Huffman, i tha New York Times se ishte i pakënaqur me atë që po bënin kompanitë e AI.

 

“Korpusi i të dhënave të Redditit është me të vërtetë i vlefshëm”, tha ai. “Por, ne nuk kemi nevojë t’ia japim të gjithë këtë vlerë falas disa prej kompanive më të mëdha në botë”.

 

Fillimisht, Musk kishte lajmëruar për kufizim prej 6.000 postimesh në ditë për llogaritë e verifikuara, 600 për llogaritë e paverifikuara dhe 300 për llogaritë e reja të paverifikuara.

 

Musk e bleu kompaninë vitin e kaluar për 44 miliardë dollarë, pas shumë telashesh. Ai ishte kritik ndaj menaxhmentit të mëparshëm të Twitterit dhe tha se nuk donte që platforma të bëhej një dhomë ku vetëm bëhej “jehonë” e të mendimeve të njëjta.

 

Menjëherë pas marrjes së detyrës, ai uli fuqinë punëtore nga pak më pak se 8.000 punonjës në rreth 1.500./rel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re