Platforma sociale, Twitter njoftoi se ka vendosur t’ia pezullojë përgjithmonë llogarinë e presidentit në largim të ShBA-ve, Donald Trump.

“Pas rishikimit të postimeve të fundit nga Donald Trump dhe kontekstit rreth këtyre postimeve ne kemi vendosur që t’ia pezullojmë përgjithmonë llogarinë për shkak të rrezikut për nxitje të mëtejme të dhunës”, tha kompania.

Pasi mbështetës të Trumpit, sulmuan më 6 janar Kongresin amerikan, Twitter njoftoi për pezullimin prej 12 orëve të llogarisë së presidentit, për shkak se kishte bërë postime që përbënin shkelje të politikës së kësaj platforme të integritetit civil.

Më 8 janar, presidenti Trump bëri dy postime në Twitter, të cilat, sipas kësaj platforme sociale, kishin përmbajtje që paraqisnin shkelje të politikës së “Glorifikimit të Dhunës” të kësaj kompanie, që “ka për qëllim të parandalojë glorifikimin e dhunës që mund të inspirojë të tjerët të kryejnë akte të dhunës dhe vendosëm që ato kishin të ngjarë të inkurajonin njerëzit të përsërisnin akte të dhunës që ndodhën në Kongresin amerikan më 6 janar”, tha Twitter.

Edhe kompanitë Facebook dhe Instagram kanë njoftuar më 7 janar se kanë vendosur t’ia bllokojnë llogaritë Trumpitnë këto dy platforma, për të paktën dy javë, derisa Joe Biden të inaugurohet si president i SHBA-së.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re