Nga Pranvera Borakaj

Pas gati 5 muajsh kaos, i shoqëruar me përjashtim të shumë deputetëve të opozitës, ndryshim  të rregullores së Kuvendit, kalimin në kohë rekord  të shume ligjeve të rëndësishme pa asnjë lloj konsensusi apo diskutimi gjithë palësh.

Më në fund gjasat janë që jeta parlamentare t’i rikthehet normalitetit së shpejti. Si për të konfirmuar papjekurinë dhe arrogancën politike, edhe këtë herë, palët vështirë se bëhen bashkë pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve.

Po çfarë na tregon kjo dinamikë e re ngjarjesh e cila vinte në kohën kur normaliteti tingëllonte një fjalë e huaj në retorikën politike shqiptare.

Së pari sado numra të ketë mazhoranca, sado ofertë të ketë në tregun çam, ka ligje që kërkojnë shumicë votash, konsensus, dhe mospasja e tyre sjell patjetër pezullim të veprimtarisë normale.

Ja që në këtë pikë, kur nevoja por dhe presioni ndërkombëtar thërret, dhe kjo mazhorancë me vizionin në letër nga 2030 e njeh këtë opozitë, sado nongrata të jetë, ulet në negociata, nuk e injoron dot.

Së dyti, është shume interesant faktorizimi që Gazmend Bardhi ka marrë brenda skenës politike në Shqipëri në muajt e fundit. Pas kthimit nga Amerika, shkon në protestë poshtë shtëpisë së liderit non grata, ky i fundit në emër të numrave, shkel shumëçka tha në Kuvendin e shpresës në 11 dhjetor, dhe pa zgjedhje, por me ndryshime statutore, dhe pa konsensus, emëron Gazmend Bardhin dhe Agron Gjekmarkajn nënkryetar të Rithemelimit.

E menjëherë pas kësaj, dhe mazhoranca dhe ndërkombëtaret duket se futen në vallen komsensuale e flasin për gjuhë dialogu e negociatash. Të jetë rastësi vallë ky faktorizim i ish-mbështetësit më të madh Të Lulzim Bashës apo Gazmend Bardhi po shikohet si e ardhmja e PD.

Nëse është kështu, mjaft interesant është transaksioni që i ka ofruar babai i Zenit , nënkryetarit të ri të Themelimit, i cili në pak kohë jo vetëm u ul në tryezë me të, por harroi gjuhën e urrejtjes ndaj tij por dhe akuzat në SPAK për drejtues të PD, për veprimtari brenda PD.

Politika nuk mbahet për moral. Ama në Shqipëri, me kaq pak banorë, me kaq shume emisione dhe analistë, kur gjuha ndryshon kaq shpejt shija nuk  të kalon  kollaj.

Edhe nëse nuk shkohet në zgjedhje të parakohshme, e qeveri teknike, siç Berisha e kërkon me ngulm, sërish zgjedhjet janë pak muaj larg. Socialistët të sofistikuar në mekanizmat e fitores kanë nisur nga puna, ndërsa në PD, vula është problemi më i vogël.

2021 tregoi se dhe të gjithë bashkë, kur mungon fryma e shpresës, zgjedhjet nuk fitohen dhe PS nuk thyhet dot.

Në 2025 demokratët do shkojnë në zgjedhje me  liderin “non grata”, në “arrest shtëpie” me shumë mundësi, me PD që i mungon jo vetëm një pjesë e deputetëve, sado e papërfillshme por dhe aleat historik si Dashamir Shehi.

Nëse me gjithë këto firo rrugës, e me këtë frymë pesimizmi, sërish demokratët nuk shkunden, ridimensionohen, hapin partinë, qartësojnë ideologjinë, është e qartë që s’po kërkojnë më pushtetin dhe rotacionin por po shtrenojnë fort privilegjet e opozitës më të madhe.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re