Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka kërkuar marrjen e masës disiplinore për tre deputetë të opozitës, pas zhvillimit të seancës së fundit plenare mes kaosit, zhurmës dhe tymueseve.

Në shkresën dërguar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, ata shkruajnë se kërkojnë që të merret masë disiplinore për deputetët Edmond Spaho, Saimir Korreshi dhe Kastriot Piroli sipas Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

“Seanca e datës 14.12.2023 u zhvillua mes zhurmës dhe sjelljeve të dhunshme nga deputetët e opozitës. Veprimet e paprecedenta dhe në shkelje të etikës parlamentare përpara zhvillimit të seancës plenare, ku deputetë të caktuar të opozitës penguan hyrjen e deputetëve të mazhorancës dhe të vetë opozitës, bien ndesh me Kodin e Sjelljes së Deputetit.

Këto sjellje të dhunshme vijuan edhe brenda sallës së seancës plenare ku për të disatën herë dhe në mënyrë të përsëritur deputetë të opozitës kanë ndezur disa flakadanë si dhe kanë bërë zhurmuesin duke përplasur tavolinat apo duke bërtitur, në mënyrë që seanca plenare të mos zhvillohej normalisht. Situata aspak normale e krijuar prej tyre, në thyerje të rëndë të Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë bënë që Kryetarja e Kuvendit të kalonte në procesin e votimit, pa u zhvilluar diskutimet sipas rendit të ditës ku deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ishin regjistruar për të folur.

Me fillimin e seancës plenare, deputetët Edmond Spaho dhe Saimir Korreshi përdorën mjete piroteknike (flakadanë) duke ndezur disa të tilla. Disa prej flakadanëve dy deputetëve Spaho dhe Korreshi u’a ka dhënë deputeti Kastriot Piroli, i cili në disa raste nxjerr flakadanët dhe dy deputetët e tjerë i ndezin. E gjithë kjo situatë ka krijuar zhurmë dhe kaos në sallën e seancave.

Për sa më sipër, në mbështetje të nenit 63, pika 1 gërma d), dhe nenit 65/1 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 3. gërma dh) dhe ë, nenin 8, pika 2 gërma b) dhe nenin 33 të Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, paraqesim kërkesën:

– Marrjen e masës disiplinore ndaj deputetëve Edmond Spaho, Saimir Korreshi dhe Kastriot Piroli sipas Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

– Mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat. Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masës disiplinore.”, thuhet në kërkesë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re