Agjencia e lajmeve Reuters i ka dedikuar një artikull tensioneve sot në Kuvend, ku opozita vijoi aksionin e saj duke grumbulluar karriget në mes te sallës dhe duke ndezur tymuese, për të penguar zhvillimin normal të seancës ku po votohej buxheti i vitit 2024.

Artikulli i Reuters:

Anëtarët e Partisë Demokratike të opozitës shqiptare ndezën tymuese dhe një zjarr të vogël, të fikur me shpejtësi, në mes të parlamentit të hënën në një përpjekje të dështuar për të ndaluar votimin e buxhetit të 2024-s.

Deputetët grumbulluan karrige në qendër të dhomës dhe tymi i kuq, jeshil dhe vjollcë mbushi ajrin ndërsa siguria i mbajti ligjvënësit larg nga karrigia e kryeministrit Edi Rama.

Një deputet u pa duke ndezur një zjarr të vogël i cili u fik shumë shpejt.

Kreu de-fakto i partisë, Sali Berisha, ish-kryeministër, ka akuzuar qeverinë se po përpiqet të heshtë opozitën në parlament ku Partia Socialiste e Ramës ka shumicën.

“Beteja nuk ka rrugë kthimi,” u tha Berisha gazetarëve pas trazirave në sallën ku buxheti kaloi votimin e parë në një seancë që zgjati më pak se pesë minuta.

“Qëllimi ynë është të sjellim pluralizëm në parlament”.

Muajin e kaluar, prokurorët akuzuan Berishën dhe dhëndrin e tij për korrupsion lidhur me një marrëveshje toke që përfshinte terrenet e një klubi sportiv. Ata e akuzuan atë për përdorimin e ndikimit të tij si kryeministër nga viti 2005 deri në 2009 për të ushtruar presion “për përfundimin e procedurave të privatizimit në favor të të tjerëve, përfshirë burrin e vajzës së tij”.

Dhëndri i tij u arrestua por Berisha ka imunitet nga ndjekja penale si deputet. Ai është urdhëruar të mos largohet nga vendi.

Berisha akuzon Ramën se ka orkestruar prokurorinë ndaj tij. Rama e mohon akuzën.

“Ata (opozita) sollën fjalorin dhe sjelljet e rrugës në politikë”, tha Rama në X, më parë Tëitter, pas trazirave.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re