Mbarime Metushi, bashkeshortja e Ferdi Metushit, 59 vjecarit qe mbeti i vdekur mëngjesin e 19 prillit në një kantier ndërtimi në fshatin Mollaj në Ballsh i bën thirrje drejtësisë dhe minstrit Manja të zbardh sa më parë të vërtetën.

Bashkëshortja e të ndjerit ka hedhur akuza të forta ndaj drejtuesve të firmës dhe grupit hetimor  se provat janë minipuluar.

Sipas saj i ndjeri nuk ka qenë i siguruar dhe është futur në skemë pas vdekjes, ndërsa sipas saj grupi hetimor ka manipuluar mjetin e ngjarjes.

Ndërkohë ajo denoncon edhe nje tjetër fakt, atë të shfrytëzimit të lumit vjosë, që sipas saj vazhdon edhe sot e kësaj dite

Mbarime Metushi thekson se ka bërë denoncim lidhur me dyshimet e saj dhe familjes por ende nuk ka asnjë reagim.

“Kërkoj të drejtën e burrit tim se pse u vra, kanë dhënë deklarata të ndryshme nga realiteti, na kanë rënduar jashtë mase, burri punonte ditën dhe natën, ka qenë i pasiguruar, dëgjoj pronarin që më erdhi në shtëpi dhe tha se ishte i siguruar. Pas verifikimeve ka dalë që burri im është siguruar pas vdekjes, shkak i defektit ka qenë leva e marshit, nuk na kanë lajmëruar fare ne si familje, pse?

Më vonë pasi janë verifikuar me fakte, për shkakun e aksidentit, kemi parë se ka pasur ndërhyrje te kjo makinë, te leva e marshit. Burri im nuk ishte një punëtor i thjeshtë, ka qenë mekanik, shofer, e njohin në të gjithë jugun, ka punuar në autostrada. Nuk më kanë ardhur nga kompania, heshtje, heshtje, dhe vetëm heshtje, Fiama SHPK, e ka emrin firma. Pronari e ka emrin Arben Lutaj, lekët ja vononte, lekët i merrte gjithnjë në dorë.

Kërkoj zbardhjen e të vërtetës, kërkoj gjakun e burrit tim, vetëm heshtje, vetëm dhimbje. Na kanë marrë në pyetje vetëm ditën e kallëzimit, dua të theksoj dhe diçka tjetër, se thuhet se nuk punohet natën, policia ka shkuar dhe ka kapur shokë të tjerë, edhe e nxorën, sepse nuk lejohet që të marrësh inerte në Vjosë. Aty vazhdojnë që të nxirren inerte”, shprehet Mbarime Metushi.

Ferdi Metushi, 59 vjec, ndërroi jetë rreh një muaj më parë në afërsi të fshatit Mollaj në aksin rrugor Levan-Tepelenë, në Mallakastër.

Metushi ka qenë duke punuar me automjetin kamion “‘Man” në një pikë grumbullimi inertesh, kur kamioni është përmbysur duke e zënë poshtë.  Si pasojë 59 vjecari Metushi ndërroi jetë menjëherë.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re