Partia Demokratike publikoi dokumentin e prokurorisë greke, në lidhje me dënimin me tre vjet burg në Greqi para dhjetë vitesh, të kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, ndërkohë që zyrtari socialist përmes një deklarate publike e mohoi se kishte dijeni për atë.

Ismailaj, i zgjedhur nga votimet moniste të 30 qershorit, është i katërti zyrtar i lartë lokal nga radhët e Partisë Socialiste, i akuzuar nga demokratët pas Valdrin Pjetrit (Shkodër, u tërhoq pa marrë detyrën), Agim Kajmakut (Vorë, i shkarkuar nga KQZ-ja dhe në kërkim nga policia pas mandatit të arrestit) dhe Mark Babanit (Vau i Dejës, ende në detyrë).

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, publikoi edhe dokumentin e dënimit të Ismaiajt në vitet 1999-2000.

Sipas Bardhit, ai është dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje) dhe nuk e ka vuajtur dënimin për shkak të mosgjetjes në territorin grek. Gjykata e Kiosit e ka dënuar me tre vite burg kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailajt më 25 shkurt të vitit 2000.

Kryebashkiaku Ismailaj është dënuar dhe dëbuar nga Greqia, ndërkohë që kishte fshehur të dhënat për këtë dënim në formularin e dekriminalizimit.

Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj, reagoi pas publikimit të dokumenteve të shtetit grek nga Partia Demokratike për çështjen e dënimit në këtë vend.

Ismailaj deklaron se, në kohën që ka jetuar dhe punuar si emigrant ekonomik në Greqi, nuk është arrestuar, ndaluar apo deportuar nga policia greke.

Sa i përket shkresave të nxjerra nga PD, ai thotë se nuk ka pasur dijeni, pasi po të kishte do i deklaronte në formularin e dekriminalizimit duke arsyetuar se vepra dhe koha për të cilën presupozohet të jetë dënuar nuk është në kushtet që e pengonte kandidimin apo ushtrimin e detyrës. Ai thekson se do ndjekë çdo rrugë për të vërtetën, ndërsa shton se nuk i është ndaluar asnjëherë hyrja në Greqi.

Partia Demokratike i ka dërguar një kërkesë Prokurorisë, për të hetuar në lidhje me figurën e kreut të Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj.

Nga ana e saj, Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar procedim penal ndaj kreut të Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailajt pas akuzave të PD-së se ka qenë i dënuar në Greqi. Deri javën tjetër Ismaliaj duhet të paraqitet në Policinë Gjyqësore për të dhënë gjurmët e gishtave.

/TPZ.al/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re