Evis Kushi ka reaguar për herë të parë pas marrjes së pozicionit si ministre Arsimi në vend, ku shpreh falenderimet për urimet që kanë bërë në drejtim të saj.

Megjithëse nuk shkruan asnjë fjalë lidhur me artikullin shkencor të saj të publikuar nga studiuesi Vladimir Kola, ku thuhej se 70% është plagjiaturë, Kushi ka treguar për arsimimin e saj në Staffordshire University në Britaninë e Madhe, ku ka publikuar edhe një foto gjatë diplomimit.

Po ashtu ajo e ka përshkruar si një sfidë këtë detyrë të rëndësishme, duke premtuar gjithashtu se do të bëjë të pamundurën që të nderojë Elbasanin, Partinë Socialiste si dhe kryeministrin e saj Edi Ramën.

Postimi i plotë: Të dashur miq, Ju falenderoj pamasë për mesazhet tuaja inkurajuese në këtë moment kaq sfidues për mua! Më keni gëzuar, por nuk më keni lehtësuar! Përkundrazi, mesazhet tuaja më bëjnë të ndjehem edhe më e ngarkuar se sa dje kur kryeministri më shprehu vendimin e tij, me barrën e kësaj përgjegjësie të jashtëzakonshme.

Kur mora doktoraturën në Staffordshire University në Britaninë e Madhe, pas pesë vitesh studime e vajtje ardhje mes Elbasanit dhe Stoke-on-Trent mendova se provimet për mua mbaruan. Por paskam qenë aq gabim sa s’ka!

Ky i tanishmi është një provim aq i vështirë sa nuk gjej fjalë ta shpreh! Uroj që të kem ndihmën tuaj dhe të kolegëve të mi të shumtë në botën universitare për t’ia dalë faqebardhë.

Do bëj gjithçka mundem që të nderoj Elbasanin tim, Partinë Socialiste dhe kryeministrin tonë dhe që kur të kthehem një ditë në auditor të kem respektin e të gjithë kolegëve të mi për atë që do të jem si drejtuese e arsimit. Një pedagoge dhe qytetare në shërbim të përulur ndaj komunitetit të madh të dijedhënësve. Faleminderit shumë edhe njëherë të gjithëve!

(M.Q/Faxweb.al)

/faxweb