Bashkëshorti i një 47-vjeçare që ka ndërruar jetë 10 ditë pasi e ka vizituar te kardiologu në Fier, ka hedhur akuza të forta ndaj mjekut për neglizhencë. Dashnor Zoga ka thënë se gruaja e tij ishte për urgjencë, por mjeku Viktor Gjini e ka sorollatur.

Gjatë një lidhje të drejtpërdrejtë me Zogën në emisionin “Shqipëria Live”, ka ndërhyrë me një lidhje telefonike vetë mjeku.

Viktor Gjini i ka hedhur poshtë akuzat e Dashnor Zogës, duke thënë se ai po gënjen.

“Desha të shpreh keqardhje e të ngushëlloj zotërinë. Është ngjarje e rëndë. Aty u thanë gjysmë të vërteta. Unë do t’i bëj thirrje prokurorisë që ta shqyrtojë çështjen. Gruaja e tij nuk ka qenë pacientja ime. Ajo ka dalë me dëshirën e saj nga spitali, dhe e kemi me firmë”, tha mjeku.

Gjini shtoi gjithashtu se e ndjera nuk ka qenë për urgjencë. “Problemi i madh është se ajo nuk ishte urgjencë. Kam kontaktuar me mjekun e familjes, më 12 janar ka marrë rekomandimin për të ardhur te ne më 16 janar. Pra ka pak ditë diferencë. Pasi erdhi dhe u vizitua te ne, ka shkuar në shtëpi. E që nga ajo ditë nuk ka shkuar te mjeku i familjes për ndonjë problem. Nuk ka qenë në një situatë urgjence”, tha Gjini.

I pyetur se kush e mban përgjegjësinë për vdekjen e saj, mjeku tha: “Përgjegjësinë e mban sëmundja. Ajo nuk është e para dhe nuk do të jetë e fundit. Ju keni parë sportistë të rinj që vdesin në fushë, janë sëmundjet e tilla”.

Më pas ai hodhi edhe akuza të forta ndaj Dashnorit, duke thënë se është njeri me probleme.

“I ati i tij më tha: ‘Më vjen keq, djali im ka dalë nga rruga e Perëndisë. Pi raki nuk e di çfarë bën’. Është një person me psikozë alkooliste. Ka probleme të mëdha ekonomike. Ky person është lehtësisht i manipulueshëm”, tha Viktori.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re