Skip to content

U arrestua bashkë me Agasin – Zbardhet dëshmia e Ulian Shpatarakut: Nuk e njihja, e gjeta në rrugë! Më tha se quhej Berti dhe merrej me dyer alumini

1787766799 ulianshpataraku

Zbardhet dëshmia e dhënë përpara hetuesve nga Ulian Shpataraku, ish-asistenti i Drejtorit të Departamentit të IT-së në Polici, i cili u arrestua së bashku me personin e shpallur në kërkim, Ergys Agasi. Shpataraku ka mohuar kategorikisht se e dinte që personi që kishte marrë në makinë ishte Agasi, duke pretenduar se e ka marrë atë si udhëtar në rrugë pasi i bëri shenjë me dorë.

Sipas procesverbalit të deklarimeve, Shpataraku pretendon se nuk ka kryer asnjë vepër penale.

Shpataraku ka sqaruar itinerarin e lëvizjeve të tij, duke thënë se një natë më parë kishte shkuar në Durrës, në zonën e Kënetës te vjehrri, pasi djali i tij i madh kishte pasur temperaturë të lartë. Të nesërmen në mëngjes kishte vendosur të udhëtonte drejt Elbasanit.

Sipas tij, makina e tij pësonte mbinxehje dhe për këtë arsye ia kishte lënë atë një shoku të tij pranë Kënetës në Durrës, për të marrë në përdorim një automjet tip “Audi A6”.

“Fakti që të vesh të tregu, nuk është krim dhe nuk je kriminel. Unë marr rrugën e vjetër për Elbasan për shkak të trafikut që të gjithë Shqipëria e di. Kam shkuar, kam takuar dy miq të mi, kam pirë kafe te servisi ‘Renato’ dhe jam kthyer,” ka deklaruar ai.

Shpataraku ka pretenduar se gjatë kthimit nga rruga e vjetër e Elbasanit, i ka ndaluar një personi që i ka bërë shenjë me dorë, pasi e zuri “kurthi i moralit” dhe si besimtar nuk ka frikë të marrë udhëtarë.

“Si mund ta njohja unë z. Agasi që ishte në kërkim, kur ai kur hipi në makinën time ishte me mjekër, me kapele, me shapka e pantallona të shkurtra? Gjatë rrugës ai më tha se quhej Berti dhe merrej me dyer alumini. Në atë moment nuk e kisha idenë se bëhej fjalë për Ergys Agasin,” ka shpjeguar ai para hetuesve.

Ndër të tjera, ish-zyrtari i policisë ka hedhur poshtë pretendimet se ka shoqëruar Agasin në tregun e Elbasanit apo në Shkozet, duke theksuar se raporti i vëzhgimit të SPAK-ut ndërpritet në Bradashesh dhe nuk provon praninë e tij në ato vende. I pyetur për numrat e telefonit apo targën e makinës që përdorte, ai deklaroi se nuk i mban mend specifikisht.

Lidhur me detyrën e tij të mëparshme në polici, ai u shpreh se as ai dhe as oficerët e tjerë nuk i dinin përmendësh të gjithë personat që ndodheshin në kërkim policor.