Ish-deputeti i PS-së, Jurgis Çyrbja, i cili u vendos në pranga mbrëmjen e sotme (20 tetor) në Durrës, dyshohet se ka qenë përdorues i aplikacionit SkyEcc.
Ish-deputeti socialist dyshohet se ka komunikuar me personazhe të botës së krimit në Durrës në aplikacionin e koduar.
Ndërkohë, në një njoftim zyrtar për mediat, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur akuzat ndaj tij.
Sipas SPAK, Çyrbja akuzohet për tre vepra penale, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.
Mësohet se ndaj tij Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuat ka caktuar masen e sigurimit “arrest në burg”.
“Nisur nga interesi i madh i mediave ju komunikojmë se Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot masen e sigurimit arrest ne burg të caktuar nga Gjykata e Posacme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuat ndaj shtetasit Jurgis Cyrbja, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal”, njoftoi shkurtimisht SPAK.
Ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja dorëzoi mandatin (më 9 Tetor) dhe u mor i pandehur nga SPAK një ditë më pas.
