Ish-shefi i krimeve në Policinë e Elbasanit, Leonard Palushi, është dënuar me 3 vite e 6 muaj burg këtë të martë nga Gjykata e Posaçme.

 

Palushi u arrestua gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, ndërsa u gjet fajtor për akuzën e korrupsionit.

 

Sipas SPAK, Palushi ndërkohë që mbante detyrën e zyrtarit brenda Policisë së Shtetit, kishte lidhje me botën e krimit. Konkretisht u provua se Palushi ndihmonte Erion Alibejn, i arrestuar si drejtues i një grupi kriminal që vepronte në Elbasan.

 

Leonard Palushi u arrestua pas dëshmisë së Nuredin Dumanit. Ky i fundit tha se arma me të cilën u vra Emiljano Ramazani në gusht të vitit 2020, u vendos qëllimisht në një servis në Peqin, me qëllim përplasjen e dy grupeve kriminale që nuk kishin lidhje me ngjarjen, e pikërisht në këtë ngjarje, sipas SPAK, ishte përfshirë edhe efektivi Palushi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re