Gjykata e Posaçme ka liruar nga qelia Klea Gjatën, partneren e Laert Haxhisë, e cila u arrestua pas dëshmisë së Artan Tafanit, i cili ka statusin e të penduarit.

E reja ndodhet nën hetim për moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit të krimit, dhe ndaj saj është caktuar masa e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Kujtojmë se Laert Haxhia është marrë i pandehur në mungesë  nga GJKKO për masakrën e Lushnjës në 2017, ku vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, por u shpëtoi shënjestra, Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjes.

Vendimi i GJKKO:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 19.03.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” caktuar ndaj Klea Gjata me vendimin Nr. 690, datë 01.10.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan (me vleftësim ndalimi të saj më datë 27.09.2023), e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” të parashikuar nga nenet 300 dhe 302 të Kodit Penal, me masën e sigurimit “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, duke urdhëruar lirimin e saj dhe të mos largohet nga territori shqiptar pa autorizimin e gjykatës.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112 dhe dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin 175, datë 21.03.2024, vendosi:

Pranimin e kërkesës të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” caktuar ndaj personit nën hetim Klea Gjata me vendimin 690, datë 01.10.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me masën e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale

Urdhërohet personi nën hetim Klea Gjata të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233 pik1 të K.Pr.Penale “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe dokumenteve të tjerë identifikues të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për personin nën hetim Klea Gjata.

Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim Klea Gjata, nga ambjentet e paraburgimit nëse nuk mbahet apo nëse nuk duhet të mbahet e arrestuar, e ndaluar apo e dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.

Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re