Gjykata e posaçme la në qeli ish-kryebashkiakun e Fushë-Arrëzit, Fran Tuci, i cili u arrestua mbrëmjen e 12 korrikut me urdhër të SPAK, për shpërdorim të detyrës dhe shkatërrim të pronës.

 

Përmes veprimeve apo mosveprimeve të tij ai lejoi ndërtimin e një rruge në një zonë të pyllëzuar, pa asnjë autorizim.

 

Dëmi i shkaktuar nga ndërtimi i këtij segmenti kap vlerën e 234 milionë lekëve, krahas dëmit të shkaktuar përmes gërmimeve në volume të konsiderueshme, të cilat çuan në shpyllëzim.

 

Ndërsa ndaj Ndoc Markut, administratorit të njësisë administrative Iballë, gjykata la në fuqi kërkesën e prokurorisë, arrest shtëpie e po ashtu edhe për fadromistin Durim Markgjekaj që kreu punimet, detyrim paraqitje.

 

Gjatë seancës, ish-kryebashkiaku Fran Tuci tha se banorët e zonës i kishin kërkuar hapjen e rrugës e madje kishin mbledhur edhe lekët vetë, ndaj u kishte dhënë leje.

 

Por gjykata nuk e mori parasysh këtë shpjegim.

 

Vepra penale e shpërdorimit të detyrës, për të cilën akuzohet Fran Tuci, parashikon një dënim me burg deri në 7 vjet, ndërsa ajo e shkatërrimit të pronës me gjobë ose deri në 3 vjet heqje lirie.

 

Kandidati i PS në zgjedhjet lokale të 14 majit luftoi për një mandat të tretë, pasi e mbajti postin e kryebashkiakut që nga viti 2015.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re