Rusia ka lejuar autoritetet konsullore amerikane në takohen me një ish-marinsin amerikan, i cili mbahet i ndaluar nën dyshimet për spiunazh. Njoftimi u bë nga ministria ruse e Punëve të Jashtme.

Vendimi i Moskës erdhi vetëm disa orë pasi sekretari amerikan Mike Pompeo tha se priste një shpjegim rreth arsyeve se pse mbahej i ndaluar shtetasi amerikan.

“Nëse ndalimi i tij është i papërshtatshëm, do të kërkojmë kthimin e tij të menjëhershëm”, u tha zoti Pompeo gazetarëve gjatë një vizite në Brazil, ku ndodhej për të marrë pjesë në inaugurimin e qeverisë së re të vendit.

Shërbimi rus i Sigurisë FSB tha të hënën se e kishte arrestuar shtetasin amerikan ndërsa “po kryente një akt spiunazhi”.

Personi i arrestuar u identifikua si Paul Whelan, 48 vjeç, një ish-marins i cili aktualisht punon si drejtor për Sigurinë Globale në kompaninë e furnizimit me pjesë makinash me bazë në SHBA, BorgWarner.

Familja e zotit Whelan tha se ai ndodhej në Moskë për të marrë pjesë në një ceremoni martesore duke hedhur poshtë pretendimet për spiunazh.

Zoti Pompeo tha gjithashtu se autoritetet amerikane “ua kanë bërë të qartë autoriteteve ruse pritshmëritë e tyre për të mësuar më shumë rreth akuzave të ngritura ndaj zotit Whelan”./VOA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re