Policia e Shtetit ka bërë bilancin e punës për muajin mars, ku në pranga janë vënë 553 persona, ndërsa u zhvilluan 90 operacione policore.

Sipas policisë, 9 prej operacioneve, u zhvilluan në bashkëpunim me partnerët europianë dhe me ata në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku u kapën shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht për pjesëmarrje në organizata kriminale të trafikimit të narkotikëve, krime kundër personit dhe krime ekonomike.

Ndërkohë 13 shtetas u ekstraduan si rezultat i bashkëpunimit të Policisë së Shtetit, me partnerët kosovarë, spanjollë, britanikë, italianë dhe gjermanë.

Njoftimi i  Policise:

🚨Inteligjenca policore, hetimet proaktive dhe reagimi i menjëhershëm për kallëzimet e qytetarëve, realizuar në kuadër të planeve operacionale kombëtare “Sundimi i ligjit” dhe “Tempulli 2”, kanë finalizuar gjatë këtij muaji 90 operacione policore dhe kanë vënë në pranga 553 autorë të dyshuar veprash penale.

🚨9 prej operacioneve, në bashkëpunim me partnerët europianë dhe me ata në Emiratet e Bashkuara Arabe, kapën shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht për pjesëmarrje në organizata kriminale të trafikimit të narkotikëve, krime kundër personit dhe krime ekonomike.

🚨13 shtetas u ekstraduan si rezultat i bashkëpunimit të Policisë së Shtetit, me partnerët kosovarë, spanjollë, britanikë, italianë dhe gjermanë.

🚨Plani i posaçëm policor kundër kultivimit të cannabisit, goditi në 5 raste shitjen e farave dhe në 1 rast në Velipojë, kultivimin në kubikë. Struktura të posaçme të Policisë së Shtetit dhe mjete të teknologjisë së lartë do t’i shërbejnë në vijim, goditjes së kësaj veprimtarie kriminale.

🚨Gjatë muajit mars, puna e Policisë rezultoi me:

✅zbulimin e 3 bazave në Durrës dhe në Vlorë  ku furnizoheshin grupet kriminale, me armë, municion, mjete dhe sende kamuflimi për të kryer krime të rënda, si dhe goditjen  e  një rasti në Tiranë të transportimit me qëllim shitjen grupeve kriminale të një numri të madh armësh e municioni luftarak.

✅goditjen në Tiranë të 2 rasteve të trafikimit nëpërmjet postës, nga ShBA-ja në Shqipëri, të cannabisit me përqindje të lartë THC-je;

✅sekuestrimin e 3 minave me telekomandë, 53 armëve të zjarrit që do të trafikoheshin ose do t’i shiteshin kontigjentit kriminal, sasive shumë të mëdhaja fishekësh të kalibrave të ndryshme, 37 336 kubikëve me fara dhe fidanë cannabisi, 9700 farave cannabisi, rreth 100 kilogramëve cannabis, rreth 1.2 kilogramëve kokainë dhe mijëra dozave të këtyre lëndëve;

✅sekuestrimin e 207 285 eurove me burime të dyshimta, 4 automjeteve të blinduara, 1 granate, 7 kallëpeve eksploziv, 8 palëve dylbi, 4 silenciatorëve, 7 radiove marrëse-dhënëse, automjeteve, motomjeteve, targave, kapuçave për maskim, veshjeve dhe fenelinave si të Policisë;

✅zbardhjen e 130 vjedhjeve (disa me dhunë dhe/ose armë), 4 rasteve të djegies së automjeteve, 1 shpërthimi me eksploziv dhe 2 rasteve të plagosjeve;

✅parandalimin e përshkallëzimit të 8 konflikteve për motive të ndryshme.

🚨Më tej, si rezultat i punës së të gjitha strukturave të Policisë, 24/7 në terren, për të garantuar sundimin e ligjit:

✅ka vijuar angazhimi i përditshëm për zbatimin e Paketës për Sigurinë në shkolla. Gjatë këtij muaji janë parandaluar dhe goditur raste të futjes së lëndëve narkotike dhe sendeve të tjera të kundërligjshme në shkolla, si dhe janë kontrolluar subjekte që shesin produkte, brenda perimetrit;

✅janë arrestuar ose proceduar në gjendje të lirë 136 shtetas, për dhunë në familje;

✅janë goditur 142 raste të krimeve mjedisore, për të cilat janë sekuestruar 17 mjete të rënda që gërryenin shtretërit e lumenjve, transportonin inerte, dhera, dru të prera në mënyrë të kundërligjshme apo materiale për ndërtime pa leje;

✅janë goditur 6 raste të kontrabandës me mallra të ndryshme;

✅policitë e Gjirokastrës, Korçës dhe Shkodrës kanë finalizuar 4 operacione kundër transportimit të emigrantëve që synojnë të kalojnë ilegalisht kufijtë;

✅janë goditur 24 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit Poker, me makineta dhe baste sportive me celularë;

✅5 tentativa për të kaluar para pa i deklaruar, janë goditur në PKK Port Durrës dhe në PKK Morinë dhe Kakavije.

✅Policia Rrugore dhe makinat inteligjente kanë qenë prezente gjatë këtij muaji, në të gjitha akset e vendit, me qëllimet e vetme: parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lëvizjen e lehtësuar të përdoruesve të rrugës.

🚨Si rezultat i punës parandaluese dhe monitorimeve të pandërprera:

✔Janë vënë në pranga 135 drejtues mjetesh, nga të cilët 94 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 41 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.

✔Janë pezulluar 204 leje drejtimi, nga të cilat 125 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 24 për drejtim mjeti, nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 55 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.

🚨Ndërkaq, Policia Kufitare ka ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe etik, për qytetarët në hyrje/dalje, në të gjitha pkk-të, si dhe ka garantuar qarkullimin e lirë dhe të sigurtë të shtetasve, mallrave dhe shërbimeve.

Për të përmbushur këtë qëllim, janë goditur:

✔52 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit;

✔13 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufirin;

✔5 raste të braktisjes së të miturve.

Policia e Shtetit garanton se do të vijojë intensivisht megaoperacionet “Sundimi i ligjit” dhe “Tempulli 2”, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të cannabisit, si dhe bashkëpunimin me qytetarët dhe me partnerët ndërkombëtarë, për të mundësuar një ambient të sigurtë.

Ju ftojmë që të denonconi në njësitë e Policisë, në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re