Tre punonjësit e IKMT-së janë të lirë ditën e sotme nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat.

Pas një seance që zgjati një orë, tre punonjësit e IKMT-së të cilët u akuzuan për lejimin e ndërtimeve pa leje, u lanë të lirë me detyrim paraqitje dhe pezullim nga e drejta për të ushtruar funksione publike.

Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtar Durim Hasa dhe Prokuror Olgert Rumnici.

Njoftimi djeshëm i policisë:

Finalizohet me sukses operacioni “STOP”.

Operacioni pas një hetimi 6-mujor, zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Berat, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat.

Vihen në pranga 3 shtetas për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.

Në vijim të zbatimit të planit të masave për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e krimit ekonomik dhe në kuadër të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, është finalizuar me sukses operacioni “Stop”.

Si rezultat, u bë ekzekutimi i Vendimit Penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, e cila më datë 04.12.2019 ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit:

– L.S., 50 vjeç, banues në Dyshnik, Berat;

– E.V., 29 vjeç, banues në Berat;

– D.H., 45 vjeç, banues në Berat, të tre me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Berat.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se 3 Inspektorët, në kundërshtim me ligjin, kanë favorizuar dhe lejuar shtetas të ndryshëm për të kryer ndërtime pa leje në territorin e Bashkisë Berat.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re