Ministrja e re e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, është shprehur mirënjohëse për detyrën e re, teksa thekson se është e vetëdijshme për sfidat që ka përpara.

Komentet Koçiu i bëri përmes një reagimi në rrjetet sociale, pas betimit në Presidencë paraditen e sotme.

Ai thotë gjithashtu se shpreson se ndryshimet në këtë sektor do të vijojnë dhe sipas saj, shëndetësia dhe mbrojtja sociale do të jenë kryefjalë e qeverisë.

Reagimi i Koçiut:

Me mirënjohje dhe përgjegjësi të lartë, jam e nderuar të pranoj detyrën e Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Dua të shpreh falenderimet e mia më të sinqerta për Kryeministrin Edi Rama, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe për të gjithë ata që kanë besuar tek unë, për t’i shërbyer vendit në këtë detyrë kaq të rëndësishme.

Gjithashtu, dua të vlerësoj punën e jashtëzakonshme të koleges time, Ogertës dhe profesionistëve të përkushtuar që i kanë shërbyer kësaj ministrie përpara meje. Jam e vetëdijshme për sfidat që kemi përpara dhe përkushtimin që duhet të tregojmë, të gjithë bashkë, prandaj me mbështetjen tuaj kam besim se do të vazhdojmë me ndryshimet e mëdha në këtë sektor jetik për qytetarët.

Shëndetësia dhe mbrojtja sociale do të vijojnë të jenë kryefjala e kësaj qeverie e cila rrugen e transformimit e ka shtruar gjatë gjithë këtyre viteve. E gjitha kjo, me synimin e vetëm që t’i plotësojë çdo familje shqiptare, nevojat për këto shërbime thelbësore. 🙏

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re